Raporti britanik për gjyqin ndaj krerët e UÇK-së: Gjyqtarët si prokurorë të dytë

Një raport i një organizatës  britanike The Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), që u prezantua të enjten nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Një nga kritikat është roli i zgjeruar i gjyqtarëve, i cili – sipas raportit – rrezikon të cenojë parimin themelor të një gjykimi të drejtë: barazinë e armëve mes palëve.

Raporti vëren se gjyqtarët nuk po kufizohen në rolin e arbitrit neutral, por po ndërhyjnë aktivisht në ndërtimin e çështjes. Ata kanë bërë dhjetëra orë pyetje ndaj dëshmitarëve, shpesh përtej asaj që ka paraqitur vetë prokuroria. Në disa raste, sipas raportit, gjyqtarët kanë përdorur dokumente që nuk ishin pjesë e provave të pranuara, madje edhe materiale të marra nga interneti, pa njoftim paraprak për mbrojtjen. Një praktikë e tillë, thuhet në raport, “krijon kushtet që trupi gjykues të funksionojë si një prokuror i dytë”.

“Korniza e Dhomave të Specializuara i jep Trupit Gjykues një liri të konsiderueshme si përcaktues i fakteve dhe ligjit. Pa kufizime të qarta, kjo mund të krijojë kushte që Trupi të funksionojë si një ‘prokuror i dytë’, duke ndikuar në barazinë e armëve. Mbrojtja përballet jo vetëm me çështjen e Prokurorisë, por edhe me atë të Trupit Gjykues, me pasoja të qarta për burimet dhe strategjinë”, theksohet në raport.

Shqetësimet nuk janë vetëm teorike.

Të dhënat tregojnë një disproporcion të dukshëm: deri në nëntor 2024, gjyqtarët kishin kaluar 71 orë duke pyetur dëshmitarët – më shumë se secili ekip mbrojtës veçmas. Ndërkohë, mbrojtja është detyruar të shpenzojë mbi 31 orë shtesë për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga vetë gjyqtarët, ndërsa prokuroria vetëm 12 minuta. Kjo pabarazi, sipas raportit, e vendos mbrojtjen në një pozitë strukturore të pafavorshme.

Një tjetër element problematik është mënyra e formulimit të pyetjeve. Sipas analizës së transkripteve publike, gjyqtarët përdorin shpesh shprehjen: “nuk dua të të vë fjalë në gojë, por…”, përpara pyetjeve që në thelb sugjerojnë përgjigjen. “Gjithashtu, në një rast, një anëtar i Trupit përdori një dokument të shkarkuar nga interneti pa njoftim paraprak për Mbrojtjen”, potencohet aty.

“Mbrojtja identifikoi se Trupi Gjykues nuk po testonte mjaftueshëm çështjen e Prokurorisë, se përdorte formulime që sugjeronin përgjigje, dhe se nxirrte prova përtej fushës së ekzaminimit të drejtpërdrejtë”, theksohet në raport.

Këto shqetësime ishin paralajmëruar që në fillim nga juristi ndërkombëtar Michael Karnavas, i cili kishte theksuar se modeli hibrid i gjykatës – një përzierje mes sistemit adversarial dhe atij inquisitorial – mund të krijojë një rol dominues për gjyqtarët.

“Nga perspektiva e Mbrojtjes, kjo ka potencial të ngrejë çështje të mungesës së drejtësisë dhe paanshmërisë. Nga këndvështrimi i barazisë së armëve, Mbrojtja është në mënyrë të natyrshme në disavantazh, pavarësisht nëse procedurat zhvillohen në mënyrë më adversariale apo më inquisitoriale. Pa mëdyshje, Prokurori i Specializuar (i ndihmuar edhe nga Përfaqësuesi i Viktimave) nuk ka nevojë reale për ndihmë nga gjyqtarët”, citohet ai në raport.

Megjithatë, raporti nuk konstaton drejtpërdrejt shkelje të drejtësisë, por thekson se kushtet për një gjë të tillë janë të pranishme dhe disa prej tyre tashmë janë materializuar në praktikë.

“Ky problem do të mund të vlerësohet plotësisht vetëm pas publikimit të aktgjykimit. Roli që kanë luajtur provat e nxjerra përmes pyetjeve sugjestive ose spekulative do të jetë një indikator kyç për drejtësinë e procesit”, theksohet në raport.

Në thelb, dilema që ngrihet është e qartë: kur gjyqtari fillon të bëjë më shumë se sa të gjykojë, a mbetet procesi ende i barabartë për palët? Raporti sugjeron se përgjigjja për këtë pyetje do të jetë vendimtare për besueshmërinë e vetë gjykimit.

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj.

Nga ky afat kanë mbetur edhe 20 ditë. Sipas ligjeve të Speciales, trupi gjykues mund të kërkojë edhe dy muaj kohë nëse brenda 90 ditorëshit fillestar nuk ka marrë një vendim.

Krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniq – ndodhen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020.

Ata akuzohen nga Gjykata Speciale për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.

Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.

Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.

Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.

Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.

Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit