Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, në një intervistë në edicionin e lajmeve në Alsat, theksoi se ministrat shqiptarë të Drejtësisë në qeveritë e kaluara nuk deshën ta zgjidhnin çështjen e provimit të jurisprudencës, ndërsa kjo qeveri po punon për një zgjidhje të qëndrueshme që ky problem të tejkalohet.
– Që nga dita e parë e kam thënë këtë dhe qëndroj pas këtij qëndrimi se nëse shteti ka lejuar të formohet arsim i lartë në gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja, siç kemi raste në Maqedoni me gjuhën shqipe, turke dhe angleze, dhe nëse shteti e ka mundësuar këtë, unë nuk shoh asnjë arsye që pjesa teorike e provimit të jurisprudencës të mos zhvillohet në njërën prej këtyre gjuhëve që janë të ndryshme nga gjuha maqedonase, pasi ju keni lejuar formimin e arsimit të lartë në ato gjuhë, theksoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski gjithashtu theksoi se qëndrimi i Komisionit të Venecias është se duhet të kemi një “lingua franca”, pra një gjuhë të vetme në kuadër të gjyqësorit në Maqedoni, dhe se këto dy çështje, në këtë rast, nuk bien ndesh me njëra-tjetrën.
– Nga ana tjetër, duhet të themi gjithashtu se statistika është e pamëshirshme dhe pothuajse 95% e kandidatëve shqiptarë që deri më tani e kanë dhënë provimin e jurisprudencës, si pjesën teorike ashtu edhe atë praktike në gjuhën maqedonase, e kanë kaluar, që do të thotë se absolutisht nuk bëhet fjalë për diskriminim, shtoi kryeministri Mickoski.
Kryeministri Mickoski theksoi se ligji aktual, në këtë formë siç është, nuk e rregullon dhënien e provimit, por i jep të drejtë ministrit të Drejtësisë që me një akt tjetër juridik ta rregullojë mënyrën e dhënies së provimit të jurisprudencës. Për këtë arsye, kjo qeveri po kërkon një zgjidhje, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, ku edhe ministra shqiptarë nuk e kanë zgjidhur këtë problem.
– Gjatë viteve të kaluara, disa ministra shqiptarë nga radhët e BDI-së nuk kanë dashur, ndërsa kjo qeveri ka vullnet dhe po punon për të gjetur një mënyrë që ky problem të tejkalohet. Ministri Filkov është pjesë e kësaj qeverie që po kërkon një zgjidhje, ndryshe nga qeveritë e mëparshme, në të cilat ministrat shqiptarë të drejtësisë nuk kanë dashur ta zgjidhin atë, deklaroi Mickoski.





