Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga Nju-Jorku se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është aktualisht aeroporti më i madh në rajon dhe se prej disa vitesh ka regjistruar ndër normat më të larta të rritjes në Europë.
Duke folur në mbrëmjen gala të organizuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane në Nju-Jork, Rama tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe e lidhi këtë me rritjen e numrit të udhëtarëve në aeroport.
Sipas tij, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës tashmë ka më shumë udhëtarë se aeroporti i Beogradit, të cilin e përmendi si aeroportin që tradicionalisht ka qenë më i madhi në rajon.
Rama tha se rritja pritet të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, ndërsa theksoi se Shqipëria ende përballet me mangësi dhe probleme që duhet të adresohen.
Ai shtoi se, sipas tij, ka edhe aktorë që nuk e shohin me pozitivitet këtë zhvillim, duke nënvizuar se rritja e vendit nuk do të thotë se të gjitha problemet janë zgjidhur.






