Mickoski në OKB: Nuk kërkojmë rrugë më të lehtë, por rregulla të njëjta për të gjitha shtetet

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, theksoi rëndësinë e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla, duke vënë në fokus pozitën e shteteve të vogla.

Mickoski tha se Maqedonia e Veriut nuk kërkon standarde më të ulëta apo një rrugë më të lehtë drejt integrimit evropian, por një proces të bazuar në rregulla dhe kritere të qarta. Sipas tij, nëse shtetet e vogla duhet t’i respektojnë rregullat, atëherë ato duhet t’u garantojnë edhe parashikueshmëri.

“Ne nuk kërkojmë rrugë më të lehtë. Kërkojmë rrugë të rregulluar me rregulla. Nuk kërkojmë standarde më të ulëta. Kërkojmë që standardet të mbeten standarde”, tha Mickoski.

Ai theksoi se anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian mbetet përcaktim strategjik i vendit, ndërsa NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA-në i cilësoi si pjesë të orientimit gjeopolitik të Maqedonisë së Veriut.

Në fjalimin e tij, Mickoski foli edhe për inteligjencën artificiale, ndryshimet klimatike, migracionin, sigurinë energjetike dhe nevojën për reformimin e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se bota po përballet me ndryshime të shpejta dhe se institucionet ndërkombëtare duhet të përshtaten me realitetet e reja.

Duke folur për vendin e tij, kryeministri tha se Maqedonia e Veriut, si shtet i vogël, duhet të ketë të njëjtin dinjitet, të njëjtat rregulla dhe zë në marrëdhëniet ndërkombëtare si shtetet më të mëdha.

Ai gjithashtu theksoi nevojën që vendi të punojë në forcimin e sundimit të ligjit, institucioneve dhe ekonomisë, duke deklaruar se kjo është përgjegjësi e vetë shtetit dhe jo diçka që duhet t’i lihet Brukselit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit