18.8 C
Skopje
Tuesday, May 28, 2024

Rama: Macroni më tha që s’ia heq vizat Kosovës nëse s’e pranon planin franko-gjerman

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se mesazhi i presidentit francez, Emmanuel Macron, i dhënë në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, duhet marrë shumë seriozisht nga lidershipi i Kosovës.

Në emisionin “Opinion” të televizionit Klan, Rama tha se Macroni po ndjehet i lënduar nga mos-realizimi i premtimeve të Kosovës.

“Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut, si të gjithë të tjerët, por ndoshta pak më shumë se të tjerët. Ai është vetvetiu i lënduar me faktin që, edhe pse është angazhuar personalisht bashkë me kancelarin Scholz, për të vënë në tavolinë planin franko-gjerman, që është opsioni më i mirë në këtë fazë të historisë së Kosovës, dhe duke diskutuar më tha që ‘unë nuk jam i gatshëm që të hap rrugë nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman’”.

“Hapja rrugë nënkuptonte vizat”, theksoi Rama.

“Ishte shumë e qartë, dhe ajo që është shqetësuese është që edhe figura publike, edhe profile false me nxitje nga figura publike u hodhën në sulm ndaj tij dhe ndaj meje, thua se e bëra unë atë deklaratë. Thua se unë e kam gjithë fuqinë t’i them presidentit francez se duhet të bësh këtë a atë. Por i këshilloj ata që ta lexojnë mirë ata që e tha, sepse foli për disa javë në vazhdim, që janë javë oportuniteti. Pra duhet të ketë lëvizje në drejtimin e duhur sepse nuk mund të merret peng e gjithë bashkësia e aleatëve dhe e miqve të Kosovës, për t’i bërë karshillëk një përpjekjeje të tyre shumë, shumë të vendosur për të zgjidhur çështjen e Kosovës”, deklaroi Rama, raporton Klankosova.tv.

Sipas kryeministrit shqiptar, angazhimi bashkësisë ndërkombëtare dhe arsyeja pse pastaj i gjithë ky reagim “që nuk është vetëm i Macronit, por i gjithëve, negativ ndaj refuzimit të këtij angazhimi, ka të bëjë me faktin që ata janë investuar për Kosovën, jo për Serbinë”.

“Sepse të investohesh në zgjidhjen e këtij problemi është për Kosovën, sepse Serbia mund të mos jetë fare e interesuar që ky problem të zgjidhet, mund të jetë e interesuar ta zvarrisë në përjetësi, dhe për sa kohë ata i kanë vënë në tavolinë Kosovës një plan ku është njohja de fakto nga Serbia, nuk arrijnë të kuptojnë këtë absurditet, dhe e dyta, pse ata janë kaq kërkues ndaj Kosovës është sepse ata mendojnë, me shumë të drejtë, që Kosova duhet të bëjë pjesën e saj dhe t’ia lërë atyre pastaj të merren me Serbinë”, u shpreh kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, Edi Rama. /Klankosova.tv

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit