Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së martës në Tropojë, ku katër punonjës të bashkisë kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike. Për pasojë, një ka ndërruar jetë, ndërsa tre të tjerët kanë mbetur të plagosur.
Sipas informacioneve, viktima është identifikuar si Muhamet Sylisufaj. Raportohet se ata kanë qenë duke punuar për prerjen e pemëve tek një shtyllë elektrike kur kanë rënë në kontakt me energjinë.
Të plagosurit janë dërguar për marrjen e ndihmës mjekësore, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe shërbimet përkatëse, të cilat po punojnë për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.
Njoftimi i policise:
Më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, kemi marrë njoftim se, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, 4 punonjës të Bashkisë Tropojë, duke kryer punime për shpërndarjen dhe vendosjen fizike të shtyllave të ndriçimit në këtë rrugë, kanë rënë në kontakt me rrymën elektrike.
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë vendosjes së një shtylle në bazament, për shkak të peshës së saj, 4 punonjësit që po e mbanin kanë humbur ekuilibrin dhe shtylla ka prekur telat e rrymës, duke përcjellë energjinë elektrike te punonjësit.
Si pasojë, shtetasi M.S 59 vjec ka ndërruar jetë, ndërsa shtetasit A. D 40 vjec., I. D. 47 vjec dhe A. A. 21 vjec ndodhen në Spitalin e Bajram Currit, për trajtim mjekësor.
Nga veprimet paraprake rezulton se punonjësit po kryenin transportin dhe shpërndarjen e shtyllave, sipas planit të punës, datë 04.09.2026, të Bashkisë Tropojë, Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit.
Grupi hetimor po vijon veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.






