Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, zhvilloi takim në Konsullatën e Maqedonisë së Veriut në SHBA me përfaqësuesin e Konsullatës, Dragan Petkovski, i shoqëruar nga Kryetari i QKSHA-Struga në New Jersey.
Në fokus të takimit ishin nevojat e diasporës strugane në SHBA, shërbimet konsullore, si dhe mundësitë për investime të diasporës në Strugë, veçanërisht në sektorin e turizmit.
Qyra theksoi se lidhjet e Strugës me diasporën duhet të shndërrohen në projekte dhe investime konkrete.
“Struga është një nga qytetet me lidhjet më të forta me diasporën. Duam që këto lidhje të mos mbeten vetëm emocionale, por t’i kthejmë në investime, projekte dhe bashkëpunim konkret”, deklaroi Qyra.
Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e komunikimit ndërmjet institucioneve dhe diasporës, me qëllim lehtësimin e shërbimeve për qytetarët dhe afrimin e mërgatës me vendlindjen.
Qyra vlerësoi se Konsullata duhet të jetë jo vetëm një pikë për shërbime administrative, por edhe urë lidhëse mes diasporës dhe institucioneve në Strugë.







