Qyra: Ligjet po i mbajnë peng investimet në rajon

Në kuadër të Kosova Finance Forum, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ishte pjesë e panelit me temë “Trendet e investimeve në sektorin e patundshmërive në Ballkanin Perëndimor”, të moderuar nga Astrit Panxha.
Duke folur nga përvoja e tij në biznes dhe në drejtimin e komunës, Qyra theksoi se rajoni ka potencial real për investime, por përballet me pengesa serioze që e mbajnë këtë potencial të pashfrytëzuar.
Para ministrit të Ekonomisë, Besar Durmishi, dhe ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit në Kosovë, Mimoza Kusari Lila, ai ngriti si shqetësim kryesor kuadrin ligjor që nuk u mundëson personave juridikë të blejnë prona – një barrierë që, sipas tij, i kushton rajonit investime, zhvillim dhe vende pune.
“Këto janë çështje që kërkojnë zgjidhje, jo justifikime,” u shpreh Qyra, duke bërë thirrje për reforma konkrete.
Ai shtoi se sfida kryesore nuk është mungesa e mundësive, por menaxhimi i tyre, duke theksuar se ka ardhur koha që potenciali ekonomik të përkthehet në zhvillim të prekshëm për qytetarët.
“Struga mundet më shumë – dhe ne do ta bëjmë të mundur,” përfundoi ai.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit