Në mbledhjen e sotme, Qeveria mori vendim për shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë territorin e Maqedonisë së Veriut, për shkak të rrezikut të shtuar nga zjarret në hapësira të hapura dhe zjarret pyjore. Gjendja e krizës do të zgjasë 30 ditë, duke filluar nga 1 gushti 2026.
Vendimi është marrë me qëllim të përballimit në kohë, të koordinuar dhe efikas të situatës në terren, si dhe për mobilizimin maksimal të të gjitha kapaciteteve institucionale në mbrojtje të jetës së qytetarëve, pronës së tyre dhe burimeve natyrore.
Në kuadër të këtij vendimi parashihet aktivizimi i Shtabit Kryesor pranë Qendrës për Menaxhim me Kriza, i cili do të jetë në mbledhje të përhershme dhe brenda 24 orëve do të hartojë një plan veprimi për parandalimin dhe përballimin e zjarreve, një pasqyrë të burimeve njerëzore dhe mjeteve teknike në dispozicion, si dhe një plan për veprim të koordinuar të të gjitha institucioneve kompetente.
Qeveria i obligoi të gjitha organet e administratës shtetërore që të veprojnë në përputhje me rregullat për menaxhimin e krizave dhe t’i vënë plotësisht në dispozicion kapacitetet e tyre, me qëllim reagimin e shpejtë dhe efikas në terren.
Ky vendim, sipas Qeverisë, konfirmon përkushtimin për të vepruar në mënyrë proaktive, me mobilizim të plotë të institucioneve dhe me përgjegjësi të qartë në mbrojtjen e qytetarëve, mjedisit jetësor dhe burimeve kombëtare.






