Qeveria shpall gjendje krize 30-ditore në Gostivar për shkak të problemit me furnizimin me ujë

Advertisement

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shpallë gjendje krize për 30 ditë në Komunën e Gostivarit, me qëllim përballimin e situatës së krijuar me sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Vendimi u mor në mbledhjen e 195-të të Qeverisë, pas propozimit të Komitetit Drejtues për Menaxhimin e Krizave. Sipas Qeverisë, pushteti lokal nuk ka kapacitet të menaxhojë situatën, ndaj masat synojnë koordinim më të shpejtë të institucioneve dhe rikthimin sa më të shpejtë të sistemit të ujësjellësit në funksion.

Qeveria thekson se mbrojtja e shëndetit të qytetarëve të Gostivarit mbetet prioritet dhe se institucionet do të angazhohen për zgjidhjen e plotë të problemit.

Njëkohësisht, autoritetet i kanë bërë thirrje Prokurorisë Publike të zhvillojë një hetim të detajuar për të zbardhur rastin dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e kujtdo që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e banorëve të Gostivarit.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria emëroi Zlatko Perinskin si ushtrues detyre të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai është magjistër i menaxhimit të burimeve njerëzore dhe më parë ka ushtruar detyrat e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, drejtorit të NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup, si dhe menaxherit të Qendrës Sportive “Boris Trajkovski”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit