Qeveria e Kosovës ka proceduar në Kuvend nismën për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në vendimin e marrë të premten, ekzekutivi vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për këtë nismë. Qeveria i ka përcjellë Kuvendit edhe opinionin ligjor për përputhshmërinë me acquis të Bashkimit Evropian, vlerësimin e ndikimit buxhetor dhe opinionin ligjor lidhur me përmbajtjen e projektligjit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, në pajtim me kërkesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 1108, të datës 23 shtator 2026, vlerëson se nuk ka pengesa ligjore për Nismën për ‘Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, thuhet në vendim.
Nisma për ndryshimin e ligjit është ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Sipas PDK-së, ndryshimet synojnë kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe vendosjen e një mekanizmi ndërkombëtar monitorimi, ndërsa për disa prej veprave për të cilat janë dënuar ish-krerët e UÇK-së parashikohet gjykimi në Kosovë.

PDK-ja ka kërkuar që nisma të miratohet para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, më 6 tetor. Partia ka lidhur këtë çështje edhe me diskutimet për zgjedhjen e presidentit, duke deklaruar se pas miratimit të ndryshimeve ligjore është e gatshme të diskutojë për presidentin.
Të premten u zhvillua edhe takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza deklaroi se nuk pati marrëveshje dhe përsëriti qëndrimin e partisë së tij se fillimisht duhet të trajtohet Ligji për Specialen dhe më pas çështja e presidentit.
Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri, në të kundërtën vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.






