Humbja e një partneri nuk është thjesht një tronditje emocionale, por një goditje sistematike që vë në rrezik të drejtpërdrejtë integritetin fizik dhe mendor të burrave.
Shkenca ka filluar të vërtetojë se shprehja “vdekje nga zemra e thyer” ka një bazë reale biologjike, veçanërisht te vejanët, ku rreziku për probleme kardiovaskulare dhe dobësim të sistemit imunitar rritet ndjeshëm pas zisë.
Një studim i detajuar i botuar në Journal of Affective Disorders, i cili analizoi mbi një mijë persona në Japoni përmes 37 parametrave të ndryshëm shëndetësorë, ka nxjerrë në dritë një paradoks të habitshëm gjinor: ndërsa burrat janë të prekurit më rëndë fizikisht dhe psikologjikisht, gratë shpesh përjetojnë një trajektore krejt të kundërt.
Pas një periudhe të shkurtër trishtimi, shumë gra raportojnë një përmirësim të ndjeshëm të mirëqenies, duke u shfaqur më të lumtura dhe më të kënaqura me jetën sesa kur ishin të martuara.
Kjo mospërputhje rrënjësore, buron nga mënyra se si janë ndërtuar rolet sociale dhe varësitë emocionale brenda martesës. Burrat priren ta përqendrojnë të gjithë nevojën e tyre për mbështetje emocionale ekskluzivisht te bashkëshortja, duke e parë atë si “portin” e tyre të vetëm të sigurt.
Kur ky port zhduket, ata mbeten të izoluar, pasi rrjetet e tyre sociale jashtë martesës janë shpesh sipërfaqësore.
Edhe pse vejanët mund të tentojnë të dalin më shumë pas humbjes, kjo rritje e shoqërizimit shpesh dështon të prodhojë lidhje të vërteta shpirtërore, duke i lënë ata të ekspozuar ndaj demencës, depresionit dhe zakoneve shkatërruese si konsumi i tepërt i alkoolit.
Nga ana tjetër, për gratë martesa shpesh mbart një peshë të lartë detyrimesh dhe kujdesi të vazhdueshëm për tjetrin. Në shumë kultura, gruaja është kujdestarja kryesore që mban peshën e shtëpisë dhe shëndetit të bashkëshortit.
Humbja e partnerit, ndonëse e dhimbshme, në planin praktik mund të sjellë një lloj lehtësimi nga kjo barrë e përditshme. Kjo u jep atyre hapësirë për të rigjetur kohën për veten dhe për t’u mbështetur te rrjetet e tyre sociale, të cilat zakonisht janë më të gjera dhe më funksionale se ato të burrave.
Në fund të fundit, barra e pikëllimit peshon më rëndë mbi supet e burrave sepse, pa “busullën” praktike dhe emocionale që përfaqëson gruaja, ata humbasin jo vetëm partneren e jetës, por edhe mjetet kryesore për të lundruar në jetën e përditshme dhe për të ruajtur ekuilibrin e tyre shëndetësor.
Kjo gjetje, vë në pikëpyetje nevojën për strategji të reja të mbështetjes sociale, duke i inkurajuar burrat të ndërtojnë lidhje më të forta jashtë martesës për të rritur qëndrueshmërinë e tyre ndaj goditjeve të pashmangshme të jetës. /tesheshi.com/





