Rasti me vajzën 13-vjeçare nga Gjorçe Petrovi nuk është më vetëm një histori e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Me gjashtë kallëzimet penale kundër prindërve, ky rast po bëhet paralajmërim se shteti po hap edhe pyetjen e dytë: kush i ka edukuar, kush i ka kontrolluar dhe kush e ka lënë pas dore detyrën për të parandaluar që fëmijët të bëhen të dhunshëm, shkruan gazeta KOHA.
Neni kyç është 201 i Kodit Penal. Në tekstin zyrtar të ndryshimeve tashmë të publikuara, kjo vepër penale parashikon se prindi, adoptuesi, kujdestari ose personi tjetër që me neglizhencë të rëndë të detyrës për kujdes dhe edukim e lë pas dore ose e keqtrajton të miturin, mund të dënohet me burg.
E njëjta dispozitë përfshin edhe situatat kur i mituri detyrohet të kryejë punë që nuk i përshtaten moshës dhe fuqisë së tij fizike ose nxitet në veprime të dëmshme për zhvillimin e tij.
Paralelisht po veprohet edhe sipas kallëzimeve kundër prindërve në bazë të nenit 201 të Kodit Penal “neglizhimi dhe keqtrajtimi i fëmijës”. Ky është momenti kur prindërit duhet ta kuptojnë një gjë të rëndësishme: kur një i mitur kryen dhunë, përgjegjësia nuk duhet të përfundojë vetëm te fëmija. Në sistemin juridik të Maqedonisë ekziston një mekanizëm përmes të cilit – përgjegjësia mund të zgjerohet edhe ndaj prindit, nëse prokuroria arrin të dëshmojë se pikërisht neglizhenca e rëndë në kujdes dhe edukim ka çuar në një sjellje të tillë.
Ndërkohë, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup janë dorëzuar gjashtë kallëzime penale kundër prindërve të vajzave që keqtrajtuan rëndë 13-vjeçaren. Prokuroria njoftoi se ato kanë të bëjnë me persona të cilët, si prindër, e kanë lënë pas dore detyrën për kujdes dhe edukim, ndërsa si pasojë e kësaj fëmijët e tyre të mitur kanë kryer dhunë, përkatësisht sulm fizik ndaj 13-vjeçares.
Kallëzimet janë shpërndarë dhe po sigurohen prova për verifikimin e pretendimeve në procedurë të rregullt. Prandaj, rasti nga Gjorçe Petrovi është një pikë kthese. Ai tregon se dhuna mes bashkëmoshatarëve nuk mund të trajtohet më si “punë fëmijësh”, si një rrahje që kalon me një vërejtje apo si problem privat mes familjeve.
Kur dhuna përsëritet, kur incizohet, kur shpërndahet dhe kur viktima poshtërohet para publikut, ai bëhet problem shoqëror dhe juridik.
Ndërsa prindërit që nuk dinë t’i edukojnë fëmijët e tyre me bisedë në vend të dhunës, duhet ta dinë se kjo mund të ketë pasoja serioze edhe për vetë ata. (koha.mk)





