“Pratenici.mk” sjell në një platformë të dhënat për aktivitetin e deputetëve

Advertisement

Aktiviteti i deputetëve, pyetjet parlamentare, puna me qytetarët dhe të dhëna të tjera për punën e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut tashmë mund të ndiqen më lehtë përmes platformës së re digjitale “Pratenici.mk”.

Platforma është zhvilluar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS), me qëllim që të dhënat parlamentare të jenë më të qasshme dhe më të kuptueshme për qytetarët, gazetarët dhe studiuesit.

Përmes “Pratenici.mk”, përdoruesit mund të kërkojnë, filtrojnë dhe krahasojnë në një vend informacione për aktivitetin e deputetëve dhe punën e Kuvendit, pa pasur nevojë të kërkojnë në burime të ndryshme të të dhënave.

Platforma mundëson ndjekjen e pyetjeve të deputetëve, aktiviteteve të tyre parlamentare, punës së zyrave për kontakt me qytetarët dhe treguesve të tjerë që lidhen me veprimtarinë e përfaqësuesve të zgjedhur.

Të dhënat e paraqitura në platformë janë marrë nga burimet zyrtare dhe të dhënat e hapura të publikuara nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas Aleksandra Jovevskës, drejtuese e Qendrës për Mbështetje Parlamentare dhe Demokratizim në IDSCS, platforma përdor bazat e hapura të të dhënave të Kuvendit dhe i paraqet ato në mënyrë më të thjeshtë dhe të kuptueshme.

Nga Instituti për Demokraci theksojnë se qëllimi i platformës nuk është vetëm publikimi i të dhënave, por edhe mundësimi i përdorimit të tyre në praktikë.

“Pratenici.mk” mund të shërbejë si mjet për gazetarët dhe studiuesit në analizimin e aktivitetit parlamentar, ndërsa qytetarëve u mundëson të ndjekin më lehtë punën dhe angazhimin e përfaqësuesve të tyre në Kuvend.

Platforma është zhvilluar në kuadër të projektit “Të dhënat e hapura të Kuvendit në praktikë: Nxitja e pjesëmarrjes qytetare”, i cili synon rritjen e transparencës dhe përdorimin më të gjerë të të dhënave parlamentare.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit