16.1 C
Skopje
Tuesday, May 13, 2025

Portali MKD.MK ka reaguar, pas kumtesës së LSDM-së e cila është ankuar për anketat e publikuara dje dhe sot

Portali MKD.MK ka reaguar, pas kumtesës së LSDM-së e cila është ankuar për anketat e publikuara dje dhe sot.

Ja reagimi i plotë i portalit:

Të gjitha anketat e MKD.mk dhe Market Vision ishin në milimetër të sakta
Portali MKD.mk tashmë shtatë vite me radhë publikon rregullisht hulumtime të opinionit publik në bashkëpunim me agjencinë Market Vision. Të gjitha anketat e publikuara deri më tani kanë pasqyruar në mënyrë reale situatën në shoqërinë maqedonase. Por, LSDM gjithmonë dëshiron të shohë përmes syzeve rozë. Ashtu është edhe këtë herë.

Sot LSDM dërgoi një komunikatë me akuza të shumta lidhur me anketën e djeshme dhe të sotme të portalit MKD.mk dhe agjencisë Market Vision. Rezultatet nuk u pëlqyen, por kjo nuk është çështje as për ne, as për agjencinë. Pse janë rezultatet të tilla, duhet ta pyesin veten, jo të akuzojnë të tjerët.

Pothuajse gjithmonë në anketat tona, ata të cilëve nuk u pëlqejnë rezultatet reagojnë – parti, kandidatë, politikanë, ministra… Dhe gjithmonë, por vërtet gjithmonë, kur përfundonin zgjedhjet, kur dikush fitonte ose humbiste, krahasimi i rezultateve të hulumtimit me ndodhitë në terren ishin pothuajse identike. Kështu ndodhi edhe me zgjedhjet e fundit lokale, me ato presidenciale, me zgjedhjet parlamentare… Dhe rregullisht, të paktën në katër ciklet e fundit zgjedhore, reagonte LSDM-ja, reagonin kandidatët për president të shtetit duke akuzuar për manipulime dhe anketa të porositura. Dhe rregullisht, pas përfundimit të zgjedhjeve, i publikonim rezultatet e hulumtimeve krahasuar me rezultatet e votimit dhe gjithmonë, pothuajse në milimetër, rezultatet përputheshin.

Dhe ja përsëri sot LSDM me një komunikatë të re të motivuar nga rezultatet e publikuara dje dhe sot nga hulumtimi ynë i fundit. Krejtësisht e panevojshme, në mënyrë amatore dhe për interesa politike ditore përpiqen të dëshmojnë diçka, ndonëse, besoj se edhe vetë e dinë se ku janë, si janë dhe besoj se e dinë çfarë duhet të bëjnë. Edhe ky hulumtim, sikurse të gjitha të mëparshmet, është porositur dhe paguar nga redaksia e MKD.mk. Këtë LSDM mund ta kishte verifikuar edhe kur ishin në pushtet, dhe edhe tani, nëse shprehin dëshirë, mund t’ua dërgojmë të gjitha kontratat dhe faturat tona.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit