Piktura që mund të shihet vetëm dy orë në javë bëhet virale në rrjete sociale

Një pikturë romantike e shekullit XIX po përjeton një valë të re popullariteti në rrjetet sociale. Vepra “The Meeting on the Turret Stairs” e artistit irlandez Frederic William Burton është bërë virale në TikTok, ku shumë përdorues e përshkruajnë si një moment “që të lë pa frymë” dhe madje “që ndryshon jetën”.

E realizuar në vitin 1864, piktura paraqet momentin e fundit të dashurisë mes Hellelil dhe Hildebrand – një çift tragjik i frymëzuar nga një baladë mesjetare daneze. Në skenë, princi Hildebrand takon për herë të fundit të dashurën e tij Hellelil në një shkallë të një kulle, pak para se të përballet me një fat tragjik të urdhëruar nga babai i saj, shkruan BBC, transmeton KultPlus.

Historia është një rrëfim klasik dashurie: një truprojë bie në dashuri me princeshën që duhet ta mbrojë, por lidhja e tyre është e ndaluar dhe e destinuar për një fund tragjik. Megjithëse piktura nuk e tregon drejtpërdrejt përfundimin e historisë, emocionet në fytyrat e dy personazheve e bëjnë të qartë se momenti është i mbushur me dhimbje dhe tension.

Piktori Frederic William Burton (1816–1900) lindi në Irlandë dhe fillimisht u bë i njohur për portretet miniaturë dhe për vizatime të monumenteve antike. Më vonë u zhvendos në Londër, ku punoi si piktor i akuarelit dhe përfundimisht u bë edhe drejtor i National Gallery. Ai ishte admirues i lëvizjes artistike Pre-Raphaelite, ndikim që shihet qartë në këtë vepër të tij më të famshme.

Që nga debutimi i saj, piktura ka emocionuar publikun. Shkrimtarja e njohur George Eliot, mikeshë e Burtonit, e vlerësoi veprën duke thënë se ajo “mund të ishte bërë gjëja më vulgare në botë, por artisti e ka ngritur në nivelin më të lartë të emocioneve të rafinuara”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit