Petkova: Lidhjet energjetike me Shqipërinë, Greqinë dhe Serbinë forcojnë pozitën e RMV-së

Advertisement

Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Angelinka Petkova, vlerëson se pozita gjeografike e Maqedonisë së Veriut, në kryqëzimin e Korridoreve 8 dhe 10, paraqet një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e vendit si nyje energjetike dhe infrastrukturore në rajon.

Sipas saj, investimet në infrastrukturën energjetike janë të rëndësishme jo vetëm për sigurinë e furnizimit, por edhe për tërheqjen e investimeve dhe forcimin e ekonomisë.

“Qëllimi ynë është Maqedonia të lidhet me të gjithë fqinjët dhe të bëhet pjesë e rrjedhave energjetike rajonale”, deklaroi Petkova.

Ajo veçoi linjën e transmetimit Bitola–Elbasan, e cila sipas saj do të forcojë lidhjen energjetike të Korridorit 8 dhe do të mundësojë integrim më të madh të vendit në sistemin rajonal të energjisë elektrike.

Në fokus janë edhe interkonektorët e gazit me Greqinë dhe Serbinë. Lidhja me Greqinë, me vlerë rreth 60 milionë euro, është në fazën përfundimtare dhe parashikon kapacitet fillestar prej 1.5 miliardë metra kub gaz në vit, me mundësi zgjerimi deri në 3 miliardë metra kub.

Petkova theksoi gjithashtu rëndësinë e interkonektorit me Serbinë, i cili, sipas saj, mund ta forcojë rolin e Maqedonisë së Veriut si vend tranzit për furnizimin me gaz nga jugu drejt Evropës Qendrore.

“Duhet të jemi pionierë dhe forcë lëvizëse në rajon. Maqedonia nuk guxon ta humbë këtë shans”, tha Petkova.

Ajo shtoi se zhvillimi i infrastrukturës energjetike është i lidhur drejtpërdrejt me investimet, pasi kompanitë kërkojnë furnizim të qëndrueshëm me energji, infrastrukturë të zhvilluar dhe qasje në tregje të ndryshme.

Në këtë kuadër, Petkova përmendi edhe funksionalizimin e produktovodit nga porti i Selanikut deri në OKTA, rifillimin e gazsjellësit Veles–Shtip, lidhjen Gostivar–Kërçovë dhe segmentin Tetovë–Kosovë.

“E ndërtojmë infrastrukturën sot, për ekonominë që duam ta kemi nesër”, përfundoi Petkova.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit