Evlija Çelebi (1611–1682) ishte një udhëtar, shkrimtar dhe historian osman i njohur për veprën e tij “Sejahatname” (Libri i udhëtimeve). Ai udhëtoi për mbi 40 vjet në të gjithë Perandorinë Osmane dhe më gjerë. Në një nga udhëtimet e tij, ai përshkruan rrugëtimin nëpër viset tona përfshirë Ohrin dhe Strugën
Në këtë tekst historik përshkruan qytetin e Strugës në një periudhë të mëhershme osmane dhe përbën një përshkrim etnografik, urbanistik, social dhe ekonomik. Më poshtë do e ndaj në mënyrë tematike dhe më pas do e shtjelloj secilën njësi :
1. Statusi Administrativ dhe Pozita Gjeografike
Pjesë nga teksti:
“Ky qytet i vogël, Struga, është një periferi (nahiye – anë) e kadillëkut të Ohrit.”
“Është një qytet i vogël i ndërtuar në një terren ranor përreth liqenit.”
Ndërsa kur flet për liqenin thotë :
“Ka gjithashtu shumë lloje të tjera peshqish të shijshëm: trofta, krapi, peshku me pendë, dhe disa lloje të tjera që nuk gjenden askund tjetër përveç në këtë liqen, siç është një mrekulli e Zotit.”
Sqarim :
Struga përshkruhet si nahiye, një njësi administrative në Perandorinë Osmane që i nënshtrohej një kadillëkut (juridiksion gjyqësor dhe administrativ më i madh) të Ohrit. Kjo e vendos qytetin nën autoritetin e Ohrit, duke treguar lidhjen e ngushtë historike dhe administrative midis këtyre dy qyteteve. Gjeografikisht, Struga përshkruhet si një vend i vendosur në një terren ranor, në një peizazh të pasur pranë liqenit – që nënkupton një mjedis të përshtatshëm për banim dhe bujqësi.
2. Tiparet Urbanistike dhe Arkitektura
Pjesë nga teksti:
“Ka rreth njëqind shtëpi të mbuluara me tjegulla, të ndërtuara fort prej guri…”
“…me një kat dhe dy kate, me kopshtije dhe vreshta.”
“Ka gjithsej tre lagje [myslimane]…”
“…dyqane, han, imaret, medrese, hamam, mesxhide, konake.”
Sqarim :
Struktura urbane përshkruan një qytet të vogël me rreth 100 shtëpi të ndërtuara fort, që tregon për një stabilitet të jetës urbane dhe zhvillim arkitektonik tradicional osman. Lagjet myslimane përbëjnë bërthamën demografike, ndërkohë që përmendja e ndërtesave si han, medrese, hamam dhe imaret tregon se qyteti kishte një infrastrukturë të zhvilluar për funksione fetare, edukative dhe sociale – në përputhje me modelin klasik të qytetit osman.
3. Institucionet Fetare dhe Objeket Publike
Pjesë nga teksti:
“Ekzistojnë vetëm katër xhami myslimane”
“Xhamia e Ohriut në çarshi… e mbuluar me plumb… një han, një imaret, një medrese dhe një hamam.”
“Tre mesxhide dhe pesë konake të mëdha – shtëpi mysafirësh.”
Sqarim :
Objektet fetare dhe institucionet publike ishin të lidhura me jetën sociale dhe shpirtërore të qytetit. Xhamia me minare të hollë dhe kupolë, e ndërtuar nga komuniteti ohrian, tregon për rëndësinë e bashkësisë lokale në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e objekteve të kultit. Medreseja përfaqëson institucionin arsimor, imareti shërbente për ushqim falas për të varfrit, ndërsa konaket e mysafirëve tregonin mikpritjen tradicionale.
4. Jeta Ekonomike dhe Tregtare
Pjesë nga teksti:
> “Katërdhjetë dyqane, të gjitha me qira… një treg i madh javor… panair i madh dy herë në vit.”
“…mijëra njerëz, tregtarë, blejnë dhe shesin nëpër mijëra dyqane dhe tezgë të përkohshme.”
Sqarim:
Ekonomia e qytetit ishte dinamike dhe e organizuar në formën e tregjeve javore dhe panaireve periodike, një karakteristikë tipike e qyteteve osmane të shekujve XVIII-XIX. Funksioni i çarshisë si qendër tregtare dhe urat prej druri që lidhin lagjet e ndryshme përforcojnë imazhin e qytetit të gjallë me aktivitete tregtare ndërmjet rajoneve përreth.
Një ngjarje nga panairi i Strugës në periudhën osmane
Në një nga panairet e hershme të Strugës, gjatë periudhës osmane, ndodhi një ngjarje interesante . Një burrë nga fshati Dollogozhdë, i njohur si Jusuf (njëri nga paraardhësit e mi) iu vodh kau, një kafshë me rëndësi të madhe për jetesën e përditshme.
Rastësisht, në panairin e Strugës, një banor i fshatit e pa një ka që i ngjante atij të Jusufit dhe menjëherë e njoftoi. Jusufi u nis për në qytet dhe e takoi shitesin. Ky i fundit deklaroi se e kishte blerë kafshën nga një tjetër dhe nuk kishte dijeni për prejardhjen e saj, por propozoi që ta lironin dhe ta ndiqnin për të parë nga do të shkonte.
Kur u hap rruga, kaut i dhanë drejtimin për nga fshati Dollogozhdë dhe e shoqëruan deri te hyrja e tij. Aty ndodhi ajo që të gjithë e prisnin me frymë të mbajtur: kau, pa hezitim, mori vetë rrugën për në shtëpinë e Jusufit. Tregtari, i prekur nga kjo dëshmi e qartë dhe nga ndershmëria e burrit që nuk kërkoi asgjë me forcë, ia dorëzoi kafshën pa shpërblim, duke i thënë:
“Me të vërtetë paske të drejtë.”
Kjo ngjarje, më shumë se një episod i zakonshëm, është një dëshmi e virtytit, e drejtësisë dhe e besimit të ndërsjellë në shoqërinë shqiptare të asaj kohe – vlera që e kanë ruajtur dinjitetin e fshatarit edhe në kohët më të vështira.
5. Elita Lokale dhe Mikpritja
Pjesë nga teksti:
> “Halil-aga, Omer-aga dhe imam-efendiu… mbajnë konake për mysafirë dhe u ofrojnë atyre ushqim.”
Sqarim :
Përmendja e këtyre figurave lokale tregon për ekzistencën e një elite tradicionale osmane – ushtarako-fetare dhe fetare (aga dhe efendi) – që mbante përgjegjësi sociale dhe kulturore. Mikpritja dhe mbajtja e konakeve për mysafirët përfaqëson një vlerë thelbësore të traditës islame dhe shqiptëtare.
6. Udhëtimi dhe Lidhja me Mjedisin Natyror
Pjesë nga teksti:
> “…u nisa nga Struga në drejtim të juglindjes përgjatë brigjeve të liqenit nëpërmjet vreshtave dhe kopshteve. Pastaj kalova pranë zonës së peshkimit (daljan).”
Sqarim :
Pjesa përmbyllëse përshkruan lëvizjen e udhëtarit dhe lidhjen e qytetit me elementët natyrorë (liqeni, vreshtat, kopshtet, peshkimi). Kjo flet për një ekonomi të lidhur ngushtë me burimet natyrore dhe për rëndësinë e mjedisit në jetën dhe strukturën e qytetit.
Bazuar në librin Seyhatname të Evlijaa Çelebiut vëllimi VIII pjesa e Sanxhakut të Ohrit faqe 50 botuar nga Türk Tarih Encümeni.
Punoi hafëz Ariton Zeqiri, 4 Korrik 2025 Egjipt – Kajro