Përshkallëzim në Gjirin Persik: Përplasje mes SHBA-së dhe Iranit, Tramp thotë se armëpushimi ende është në fuqi

Forcat amerikane dhe iraniane u përleshën në Gjirin Persik ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe u goditën sërish nga sulme ajrore, duke e rrezikuar armëpushimin njëmujor dhe duke zbehur shpresat për zgjidhjen e konfliktit në mënyrë diplomatike. Përshkallëzimi i luftimeve ndodhi ndërkohë që Uashingtoni po e priste një përgjigje nga Teherani lidhur me propozimin e tij për t’i dhënë fund konfliktit, i cili nisi me bombardime të përbashkëta amerikano-izraelite në mbarë Iranin më 28 shkurt. Presidenti amerikan Donald Trump tha se tri anije të marinës amerikane u sulmuan derisa po kalonin përmes Ngushticës së Hormuzit, rrugës jetike detare nëpër të cilën rrjedh rreth një e pesta e transportit botëror të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror. Irani e ka mbyllur pothuajse plotësisht këtë ngushticë që nga fillimi i konfliktit. Tramp deklaroi se është ende në fuqi armëpushimi midis SHBA-së dhe Irani

“Po, është. Ata luajtën me ne sot. Ne i lamë pas dore. Ata luajtën. Unë e quaj këtë një gjë të vogël. Do t’ju njoftoj kur të mos ketë armëpushim… nuk do të keni pse ta dini. Nëse nuk ka armëpushim, nuk do të keni pse ta dini. Do të shihni vetëm një shkëlqim të madh që vjen nga Irani. Dhe më mirë ta nënshkruajnë marrëveshjen e tyre shpejt,” deklaroi Donald Tramp, President i SHBA-së.

Trump la të kuptohet se bisedimet me Teheranin po vazhdonin sipas planit pavarësisht përleshjeve të fundit. Para sulmeve më të fundit, SHBA-ja kishte propozuar një plan që do t’i jepte fund zyrtarisht konfliktit, por i cili nuk trajtonte kërkesat kryesore amerikane që Irani ta pezullojë veprimtarinë bërthamore dhe ta rihapë ngushticën. Teherani ka thënë se ende nuk e ka marrë vendimin si t’i përgjigjet propozimit amerikan. /Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit