Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë ka lëshuar një deklaratë në lidhje me deklaratën e kryeministrit, Hristijan Mickoski sa i përket integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Duhet të jetë e qartë për ata që janë në pushtet në Shkup se përpjekjet për të ngritur ide për ri-negocim të detyrimeve tashmë të ndërmarra ndërkombëtare mund të çojnë vetëm në distancim të mëtejshëm nga fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Deklarata e Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fatkeqësisht edhe një herë haptas vë në pikëpyetje perspektivën evropiane të vendit të tij”, thuhet në ueb faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bullgarisë.