15.8 C
Skopje
Sunday, October 6, 2024

Përbërësit e patatinave “Doritos” kthejnë lëkurën e miut transparente

Është zbuluar se një nga përbërësit e patatinave “Doritos” mund ta bëjë lëkurën e miut transparente. Shkencëtarët nga Universiteti i Stanfordit kanë identifikuar një ngjyrues të quajtur FD&C Yellow 5, i cili është përdorur për t’i dhënë patatinave “Doritos” ngjyrën portokalli.

Gjatë një eksperimenti, shkencëtarët e aplikuan këtë ngjyrues në barkun, lëkurën e kokës dhe gjymtyrët e pasme të miut dhe vetëm pas pesë minutash, lëkura e miut u bë transparente, duke lejuar që ata të shihnin me sy të lirë përmes indeve në strukturat e brendshme, përfshirë enët e gjakut dhe organet e brendshme.

Ky efekt nuk ishte i përhershëm. Lëkura kthehej në gjendjen normale sapo shpëlahej. Lidhur me këtë fenomen, revista “Nature” jep një shpjegim shkencor: “Teknika funksionon duke ndryshuar mënyrën se si indet e trupit, të cilat zakonisht janë të errëta, ndërveprojnë me dritën. Lëngjet, yndyrat dhe proteinat që përbëjnë indet si lëkura dhe muskujt kanë indekse refraktive të ulëta, ndërsa lipidet dhe proteinat kanë indekse të larta. Indet duken opake për shkak të kontrastit të madh midis këtyre indekseve refraktive, që shkakton shpërndarjen e dritës. Duke shtuar një bojë që thith fort dritën në këto inde, mund të ngushtohet diferenca midis indekseve refraktive të përbërësve, duke i bërë ato transparente”.

Ky zbulim në fushën e imazhit optik ka potencialin për të revolucionarizuar kërkimin biologjik, duke përmirësuar transparencën e indeve. Studiuesit kanë njoftuar se do të vazhdojnë të eksplorojnë dhe eksperimentojnë me substanca të tjera për të avancuar këtë teknologji.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit