Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhje, ku është diskutuar situata politike dhe institucionale në vend pas moskonstituimit të Kuvendit.
Në përfundim të mbledhjes, PDK-ja ka vlerësuar se Kosova ndodhet përballë një krize kushtetuese dhe institucionale, të cilën kjo parti e konsideron më shumë se një mosmarrëveshje të zakonshme politike.
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se, sipas tij, po cenohen institucionet dhe rendi kushtetues.
“Kur shpërfillen Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe afatet detyruese, nuk kemi më të bëjmë me një mosmarrëveshje të zakonshme politike”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i mobilizojë strukturat e saj në komunat e Kosovës, degët dhe nëndegët e partisë, me qëllim të mbështetjes së, siç është shprehur, rendit kushtetues dhe funksionimit të institucioneve.
PDK-ja e konsideron situatën aktuale si një çështje që kërkon zgjidhje institucionale dhe respektim të procedurave kushtetuese.






