Pas rezultatit zgjedhor, Osmani del me reagim publik

Pas përfundimit të zgjedhjeve në Kosovë, Vjosa Osmani ka reaguar me një mesazh falënderues drejtuar qytetarëve dhe mbështetësve të LDK-së, duke e cilësuar këtë periudhë si një rrugëtim të rëndësishëm politik dhe qytetar.

Ajo në postimin e saj në Facebook, ka shprehur mirënjohje për votuesit, të rinjtë, gratë dhe diasporën, duke theksuar se fushata ka qenë një mundësi për të dëgjuar nga afër shqetësimet dhe pritshmëritë e qytetarëve për një Kosovë më të zhvilluar dhe më të bashkuar.

Osmani gjithashtu ka deklaruar se angazhimi i saj mbetet i fokusuar në tejkalimin e krizave politike dhe garantimin e funksionimit të shtetit, duke nënvizuar se emri i saj nuk do të jetë pengesë në procesin e krijimit të institucioneve, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Të dashur qytetarë të Kosovës,

të dashur mbështetës e votues të LDK-së,

Nga zemra, ju faleminderit.

Faleminderit për mundësinë që na dhatë, për çdo votë, për çdo fjalë inkurajuese, për çdo dorë të shtrirë dhe për çdo hap që e bëtë bashkë me ne në këtë rrugëtim.

Gjatë këtyre javëve e muajve, patëm nderin të takonim mijëra qytetarë anembanë Kosovës. Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe.

Ndihemi mirënjohës për secilin prej jush që besoi se politika mund të jetë dinjitoze, se debati mund të jetë i civilizuar dhe se e ardhmja mund të ndërtohet mbi vlera, dije dhe përgjegjësi.

Faleminderit të rinjve që na dhanë energji, grave që na dhanë forcë, mërgatës që nuk e harroi atdheun dhe çdo qytetari që doli në votime duke besuar në demokraci.

Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Një mision për t’i shërbyer Kosovës me përkushtim, me ndershmëri dhe me respekt për secilin qytetar, pa dallim.

Në këto zgjedhje kam marrë pjesë me qëllim që të ndihmoj në ringritjen e LDK-së dhe për t’i dhënë vendit mundësi te riktheje balansat demokratike e të krijojë institucionet sa më parë. Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve. Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracine, kushtetutën dhe aleancat.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit