Qeveria ka shqyrtuar sot situatën e krijuar pas avarisë teknike në objektin e “Nova Makedonija”, ku janë të vendosura tetë institucione shtetërore, si dhe masat që po ndërmerren për sanimin e dëmeve.
Për shkak të depërtimit të ujit në një pjesë të instalimeve elektrike dhe nevojës për kontrolle shtesë teknike dhe të sigurisë, Qeveria ka rekomanduar që institucionet e vendosura në këtë objekt të organizojnë përkohësisht punën pa prani fizike.
Sipas rekomandimit, të punësuarit do t’i kryejnë detyrat e tyre nga shtëpia, deri në krijimin e kushteve të sigurta për rikthimin në objekt.
Nga Qeveria theksojnë se masa është parandaluese dhe është marrë për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e punonjësve, ndërsa proceset e punës dhe funksionimi i institucioneve duhet të vazhdojnë pa ndërprerje.
Ndërkohë, ekipet kompetente po punojnë për eliminimin e pasojave të avarisë dhe për krijimin e kushteve për kthimin e sigurt të të punësuarve në objekt.






