Pas 15 vitesh braktisjeje: Përfundon rinovimi i pishinës në Akademinë Policore në Idrizovë

Advertisement

Pasi ka qëndruar jashtë funksionit për më shumë se 15 vjet, pishina në Akademinë Policore në Idrizovë është vënë sërish në punë. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, njoftoi se projekti për rehabilitimin e këtij objekti u realizua për më pak se tre muaj, me një investim prej rreth 5,7 milionë denarësh.

Gjatë vizitës në Akademi, ku tashmë kanë nisur provat e aftësive në not për kandidatët e Njësisë Speciale Antiterroriste „Tigër“, ministri Toshkovski theksoi se ky objekt do t’i shërbejë trajnimit të policëve të ardhshëm, stërvitjeve të specializuara, ushtrimeve të shpëtimit dhe ruajtjes së formës fizike.

Përveç rëndësisë institucionale, ky lokacion mbart edhe një vlerë kulturore, pasi në të njëjtën pishinë në vitin 1977 u xhiruan skena nga filmi i njohur maqedonas „Ngrihu, Delfina“, i frymëzuar nga suksesi i madh i notares Atina Bojaxhi.

Në njoftimin e tij, kreu i MPB-së përmendi edhe investimet e tjera në modernizimin e policisë, duke veçuar rikthimin e Shkollës së Mesme Policore, blerjen e automjeteve të reja dhe paralajmërimin e ardhjes së uniformave të reja, të ridizenjuara.

“Një objekt që për 15 vjet ka qëndruar i braktisur, e kthyem në funksion për më pak se tre muaj. Kjo është diferenca mes neglizhencës dhe rezultateve konkrete”, theksoi Toshkovski, duke shtuar se investimet te kuadrit policor mbeten prioritet për një siguri më të madhe në vend.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit