Raporti i Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut për vitin 2026 evidenton hapa pozitivëx në reformimin e sistemit të drejtësisë, duke vlerësuar progresin në zbatimin e Strategjisë për reformën në drejtësi 2024–2028 dhe avancimin e kornizës ligjore në këtë sferë. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka vlerësuar se konstatimet pozitive të raportit përbëjnë një dëshmi të rëndësishme për punën e bërë, por njëkohësisht edhe obligim për të vazhduar me reformat që synojnë forcimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Ndër zhvillimet kryesore të evidentuara në raport janë miratimi i ligjeve të reja për Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publikë, ligjet për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe Ligji i ri për procedurën kontestimore. Vëmendje e veçantë i kushtohet Ligjit për Këshillin gjyqësor, për të cilin Komisioni Evropian vlerëson se adreson në masë të madhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Raporti njeh gjithashtu progresin në hartimin e Udhërrëfyesit për sundimin e Ligjit dhe harmonizimin e legjislacionit për të drejtat themelore me standardet evropiane. Ai është shprehur se miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm nëse ato nuk zbatohen në praktikë dhe nuk sjellin ndryshime konkrete në funksionimin e institucioneve. “Dua që qytetarët të kenë besim te drejtësia jo sepse ne u themi se sistemi po reformohet, por sepse e shohin dhe e ndiejnë vetë ndryshimin”, ka theksuar Shasivari. Ai ka nënvizuar se vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian janë inkurajuese, ndërsa rekomandimet dhe vërejtjet e raportit mbeten udhërrëfyes për punën e mëtejshme drejt ndërtimit të një sistemi gjyqësor të pavarur, efikas dhe në shërbim të qytetarëve.








