Maqedonia e Veriut vazhdon përgatitjet teknike për anëtarësim, por Komisioni Evropian konstaton se nuk ka përparim sa i përket kushtit kryesor politik: nuk është bërë asnjë përpjekje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të parapara në konkluzionet e Këshillit të BE-së të korrikut 2022.
Nga ana tjetër, Komisioni vëren përparim në përgatitjet teknike. Është miratuar udhërrëfyesi për reformën e administratës publike, ka vazhduar puna për udhërrëfyesin për sundimin e ligjit dhe planin e veprimit për të drejtat e pjesëtarëve të komuniteteve, ndërsa është në përgatitje edhe udhërrëfyesi për funksionimin e institucioneve demokratike.
Në konferencën për media, pas prezantimit të raporteve për të gjitha vendet kandidate, eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përsëriti këto vlerësime, duke theksuar se Maqedonia e Veriut ende e mban “frenën e dorës” të tërhequr sa i përket fillimit të negociatave të anëtarësimit.
Këto janë pikat kryesore të Raportit për Maqedoninë e Veriut:
-
Pa ndryshimet kushtetuese nuk ka përparim të mëtejshëm në negociatat me BE-në.
-
Nuk ka përparim në luftën kundër korrupsionit.
-
Nuk ka përparim as në lirinë e shprehjes dhe liritë e mediave.
-
Përgatitjet teknike vazhdojnë, me përparim në administratën publike dhe digjitalizim.
-
Ekonomia shënon rritje, por vazhdojnë të mbeten dobësitë strukturore dhe ekonomia e madhe joformale.








