Pas 11 orësh tensione, përplasjesh dhe episodesh dhune në Tiranë, mbrëmja ka sjellë një atmosferë krejt ndryshe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku protestuesit dhe forcat e Policisë kanë dhënë sinjale të qarta për qetësim dhe dialog.
Policia është tërhequr nga disa prej pozicioneve të mëparshme dhe ka vendosur kordonin e saj përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa protestuesit kanë vijuar qëndrimin në bulevard dhe përballë institucionit pa akte dhune dhe pa tentativa për përshkallëzim të situatës.
Pamjet e orëve të fundit kanë sjellë një tablo krejt tjetër nga ajo e ditëve të kaluara. Në vend të përplasjeve, gurëve dhe gazit lotsjellës, protestues dhe efektivë policie janë parë duke komunikuar nga afër, në një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të shmangur një përshkallëzim të ri.
Një nga momentet më domethënëse të mbrëmjes ishte kur disa protestues u ofruan shishe me ujë efektivëve të Policisë që ndodheshin në shërbim në bulevard.
Një tjetër episod domethënës ishte dhe komunikimi i drejtpërdrejtë mes drejtuesve të Policisë dhe një grupi të rinjsh protestues, të cilët kërkuan të vijojnë protestën pa u përballur me dhunë.
Gjatë bisedës, ata shprehën pakënaqësitë e tyre dhe apeluan për vetëpërmbajtje nga të dyja palët. “Nuk duam ta shkatërrojmë Tiranën, por të dëgjohemi. Nuk duam gjak dhe nuk duam një 1997 të dytë”, u shprehën protestuesit, duke theksuar se kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore.
Nga ana e tij, një prej drejtuesve të Policisë u bëri thirrje qytetarëve të shmangin çdo akt dhune, duke kërkuar që të mos sulmohen bizneset, institucionet shtetërore apo efektivët e rendit.
Megjithëse uniformat blu vijojnë të mbajnë kordonin e sigurisë përpara Kryeministrisë dhe monitorojnë lëvizjet e protestuesve, situata në terren paraqitet e qetë








