Bekim Sali: VLEN sjell model të ri të qeverisjes, Jakup Huseini synon zhvillimin e Bërvenicës

Advertisement

 

 

Sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali në tubimin përmbyllës në Bërvenicë, theksoi rëndësinë e një qeverisjeje lokale të përgjegjshme, profesionale dhe të orientuar drejt projekteve konkrete për qytetarët, duke kërkuar mbështetje për kandidatin për kryetar komune Jakup Huseini.

 

Sali deklaroi se VLEN-i, përmes angazhimit në pushtetin qendror dhe drejtimit të dhjetë komunave, synon të dëshmojë një model qeverisjeje të bazuar në punë, efikasitet, transparencë dhe përgjegjësi institucionale.

 

“Ne kemi zgjedhur një qasje tjetër ndaj politikës: më pak fjalë, më shumë punë dhe rezultate konkrete për qytetarët”, u shpreh Sali duke theksuar se ky model synohet të zbatohet edhe në Bërvenicë përmes kandidaturës së Jakup Huseinit.

 

Ai nënvizoi se bashkëpunimi ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror është i rëndësishëm për realizimin e projekteve infrastrukturore, përmirësimin e shërbimeve publike dhe krijimin e mundësive të reja për banorët.

 

“Bërvenica meriton të jetë pjesë e komunave që zhvillohen, që realizojnë projekte dhe që bashkëpunojnë me pushtetin qendror për të siguruar investime dhe mundësi të reja për qytetarët”, theksoi Sali.

 

Duke folur për vizionin e VLEN-it, ai tha se qytetarët meritojnë rrugë më të mira, shërbime cilësore, infrastrukturë funksionale dhe institucione që japin llogari për vendimet e tyre.

 

Në fund të fjalimit, Sali iu drejtua qytetarëve të Bërvenicës, duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 18 tetorit dhe duke kërkuar mbështetje për Jakup Huseinin.

 

Ai e përmbylli fjalimin me mesazhin se synimi i VLEN-it është që Bërvenica t’i bashkohet modelit të qeverisjes ku sipas tij, “puna dhe rezultatet konkrete duhet të jenë në qendër të angazhimit institucional”.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit