11.8 C
Skopje
Tuesday, May 14, 2024

Partitë vazhdojnë fushatën për zgjedhjet parlamentare

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot nga Struga i bëri thirrje maqedonasve që të votojnë për Frontin evropian. Në takim me qytetarët, ai theksoi se më 24 prill, koalicioni të cilin ai e drejton garoi me koalicionin opozitar “VLEN”, por tani, më 8 maj, beteja është me VMRO-DPMNE-në. Sipas tij, Fronti Evropian ofron ide progresive.

“Filozofia jonë është më progresivja për shtetin, për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Sepse ashtu siç largohen shqiptarët po largohen edhe maqedonasit. Me patriotizëm sot nuk ecët përpara, a nëse e mundon VMRO-në se unë kam bërtitur ‘UÇK-UÇK’, ata ta dinë se UÇK-ja e ka shpëtuar Maqedoninë”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Duke prezantuar disa nga masat ekonomike, Izet Mexhiti nga koalicioni “VLEN”, në pyetje të gazetarëve theksoi se askush nuk e ka dilemë se kush do ta formojë qeverinë e re – do të jetë VMRO-DPMNE, kurse BDI-ja dëshiron të jetë pjesë e qeverisë së re me çdo kusht, por, siç shton ai, këtë herë BDI nuk ka argumente.

“Nga BDI të gjithë ikin si nga korona. Edhe VMRO-DPMNE ik nga BDI, Maksim Dimitrievski ik nga BDI, nuk e do Qeverinë me ta, është inatosur me BDI-në edhe ish kryeministri Kovaçevski se kanë luajtur gabim edhe me të. Pra, Lidhja Socialdemokrate nuk do me BDI-në. Duket se BDI do të mbetet në opozitë me “Të Majtën”, u shpreh Izet Mexhiti – Koalicioni “VLEN”.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke shpalosur disa nga premtimet, i është përgjigjur Ali Ahmetit për deklaratën se qytetarët vendosin se kush do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Sipas Mickoskit, Ahmeti në opinion paraqitet si ideolog, ndërsa në ndërkohë dërgon emisarë dhe dëshiron që pa kushte të hyjë në koalicion me VMRO-në.

“Stevo Pendarovski dhe Bujar Osmani kanë fituar gjithsej 300 mijë vota. Nëse shikoni rezultatin e vendosur nga qytetarët, i cili është rezultat i Gordana Siljanovska Davkovës, kryetares së ardhshme, dhe le të themi kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, është afër 450 mijë vota, që do të thotë një herë e gjysmë më shumë. Qytetarët vendosën”, theksoi Hristijan Mickoski – VMRO-DPMNE.

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, nga ana tjetër, theksoi se nëse BDI-ja dëshiron të shohë se si ndërtohet një shtet multietnik, me të cilin, siç thotë ai, kishte program të plotë parazgjedhor, duhet ta shohë diversitetin në udhëheqjen e LSDM-së.

“Sot çdokush mund të shprehë lirisht mendimin e tij. Zjarrin që e shohim këto ditë që e ndezin VMRO – DPMNE-ja dhe BDI-ja sipas recetës së vjetër deri në vitin 2016, shumë lehtë mund të ndezë tensionet që i kemi tejkaluar dhe i kemi lënë në të kaluarën me sukses. Këtë e them nga qyteti më multietnik në vend, Gostivari”, theksoi Dimitar Kovaçevski – LSDM.

Kryetari i Partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, në një tubim në Prilep bëri thirrje që të ndërpritet votimi për, siç theksoi, të keqen më të vogël dhe ka ardhur koha që të ndërpritet politika e dëmshme. Ai tha se kanë qenë të pritshme rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjet parlamentare do të sjellin një numër dyshifror të deputetëve të së Majtës./Alsat.mk

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit