Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës kanë shprehur mbështetjen e tyre për kandidaturën e Faton Bislimit për President të Republikës së Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Ragmi Mustafa, dhe kryetari i Partisë Demokratike (PD), Nagip Arifi, e cilësojnë Bislimin si figurë me profil mbipartiak, të pavarur dhe unifikues.
Sipas tyre, përvoja dhe angazhimi i Bislimit ndër vite, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e bëjnë atë një kandidat të përshtatshëm për rrethanat aktuale politike në Kosovë.
Një nga arsyet kryesore të mbështetjes, sipas partive shqiptare të Luginës, është angazhimi i Bislimit për çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Ata theksojnë se për më shumë se dy dekada, Bislimi ka përdorur marrëdhëniet dhe kontaktet e tij në Washington për ta mbajtur çështjen e Luginës në vëmendjen e politikëbërësve amerikanë, përfshirë përfaqësues të Kongresit dhe Senatit.
Në deklaratë përmendet edhe bashkëpunimi i tij me senatorë dhe kongresistë amerikanë nga të dyja partitë kryesore, si Joni Ernst, Gary Peters, Jim Himes, Jim McGovern dhe Keith Self.
Partitë shqiptare të Luginës vlerësojnë se kjo përvojë mund t’i shërbejë Kosovës në forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe në ndërtimin e një qasjeje më gjithëpërfshirëse brenda vendit.
Në fund, PVD, PDSH dhe PD shprehin përkrahjen për kandidaturën e Faton Bislimit, duke e konsideruar atë si një kandidat të mundshëm për një zgjidhje konsensuale dhe mbipartiake për postin e Presidentit të Kosovës.






