Parandalohet kontrabanda e botoksit në vlerë prej rreth 10 000 euro

Edhe një tentim për kontrabandim të botoksit në vlerë prej rreth 10 000 eurosh. Dogana e Maqedonisë së Veriut njofton se ka ngritur padi penale kundër një mjeku dhe një infermiere, të dy të punësuar në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza”. Ata tentuan të kontrabandonin gjithsej 199 flakona Botoks, me një vlerë totale prej 615 mijë denarësh, përmes një dërgese postare të deklaruar si produkte kozmetike me një vlerë totale prej 80 dollarë.

Rasti ishte zbuluar nga doganierët e Njësisë Doganore Shkup 1, gjatë një kontrolli të detajuar të dërgesës postare të deklaruar për zhdoganim import.

Infermierja kishte pranuar që porosia të dërgohej në emrin e saj dhe e ka paguar porosinë nga llogaria e saj e transaksionit.

 

Importi i Botoksit, porosit Dogana, është i rregulluar në mënyrë strikte dhe i nënshtrohet lejeve të veçanta nga institucionet kompetente dhe çdo mashtrim që lidhet me importin e mallrave të tilla ose të ngjashme përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve.

 

Ky është rasti i dytë këtë vit i importimit të paligjshëm të ilaçeve dhe pajisjeve mjekësore për ndërhyrje estetike. Më parë, në prill të këtij viti, u arrestuan 14 persona mes të cilëve edhe mjekë nga ISHP “8 Shtatori” dhe Klinika Universitare e Dermatologjisë. Ata dyshohen për kontrabandim të produkteve mjekësore që përdoren në ndërhyrje estetike. Nën hetim janë 19 persona dhe 6 subjekte juridike.

 

Emine Ismaili Luzha /SHENJA/

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit