Pushteti vendor dhe shoqatat qytetare në Dibër i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe rritjes së vetëdijes te popullata, veçanërisht te të rinjtë. Deri tani janë realizuar disa projekte me mbështetjen e fondeve evropiane në fushën e ekologjisë, ndërsa aktualisht është duke u realizuar edhe projekti mes Komunës së Dibrës dhe Komunës së Voiosës nga Greqia.
Bëhet fjalë për një projekt në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor, përmes të cilit Komuna e Dibrës, ndër të tjera, ka përfituar edhe një ekskavator shumëfunksional. Përfaqësuesit e komunës dhe të ndërmarrjes komunale “Standardi” në Dibër vlerësojnë se ky projekt ka rëndësi të madhe për mirëmbajtjen e pastërtisë publike dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.
Në takimin e dytë, të mbajtur në Dibër, mes delegacioneve që realizojnë projektin ndërkufitar mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, përkatësisht Komunës së Dibrës dhe Komunës së Voiosës, në prani edhe të kryetarit të Komunës, Fisnik Mela, u theksua se projekti deri tani po realizohet me sukses.
Po ashtu, u theksua rëndësia e këtij projekti, i cili financohet përmes programeve IPA të Bashkimit Evropian dhe synon zhvillimin e bashkëpunimit në fushën e ekologjisë mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Në informacionin nga ky takim thuhet se, përveç përfaqësuesve të të dy komunave, kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të partnerit CLUBE nga Greqia dhe të organizatës QMBI. “Partnerët shqyrtuan progresin e deritanishëm dhe koordinuan hapat e ardhshëm të zbatimit. Vëmendje e veçantë iu kushtua pajisjeve për menaxhimin e mbeturinave, aktiviteteve edukative dhe ndërgjegjësuese, si dhe bashkëpunimit me shkollat dhe komunitetin lokal. Në kuadër të projektit, për Komunën e Dibrës tashmë është siguruar një ekskavator shumëfunksional. Ky investim synon forcimin e kapaciteteve të shërbimeve komunale dhe përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave”, thuhet në informacionin e Komunës së Dibrës.
Në ndërmarrjen komunale “Standardi” vlerësojnë se projekti do të ketë efekte shumë pozitive, si në mirëmbajtjen e mjedisit jetësor, ashtu edhe në rritjen e vetëdijes ekologjike te të rinjtë. Projekti ReWaste ka një buxhet të përgjithshëm prej 919.966,80 eurosh dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian me 80 për qind dhe nga fondet kombëtare me 20 për qind, në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA “Greqi – Maqedoni e Veriut 2021-2027”








