Paga mesatare neto në Maqedoninë e Veriut në qershor ka qenë 48.381 denarë, që paraqet një ulje prej 1.163 denarësh krahasuar me muajin maj, kur paga mesatare ishte 49.544 denarë, tregojnë të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës.
Në nivel mujor, paga mesatare neto nominale është ulur për 2.3 për qind, ndërsa rënia reale, duke marrë parasysh inflacionin, është 1.9 për qind. Në krahasim me qershorin e vitit të kaluar, paga mesatare është rritur nominalisht për 6.4 për qind, ndërsa rritja reale është 3.4 për qind.
Pagat më të ulëta mesatare në qershor janë regjistruar në sektorin e akomodimit dhe shërbimeve ushqimore, me 34.200 denarë. Në anën tjetër, paga më e lartë mesatare është regjistruar në sektorin e informacionit dhe komunikimeve, ku ka arritur në 88.262 denarë. Diferenca mes dy sektorëve është 54.062 denarë.
Ndërkohë, në Serbi është miratuar niveli i ri i pagës minimale për periudhën janar-dhjetor 2027. Sipas vendimit të Qeverisë serbe, çmimi minimal i punës do të rritet nga 371 në 405 dinarë neto për orë.
Me këtë rritje, paga minimale në Serbi pritet të arrijë në 70.470 dinarë, ose rreth 600 euro. Në Maqedoninë e Veriut, paga minimale aktualisht është rreth 424 euro.
Rritja e pagës minimale në Serbi vjen në kuadër të ndryshimeve të planifikuara për të ardhurat minimale dhe pjesën e patatueshme të të ardhurave.






