Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar hapjen e thirrjes publike për subvencionimin e zanatçinjve që ushtrojnë profesione deficitare dhe që, sipas të dhënave, po shënojnë rënie të vazhdueshme.
Sipas tij, zanatet janë pjesë e pandashme e traditës, kulturës dhe identitetit të qytetit, ndërsa mbështetja institucionale është e domosdoshme për të siguruar mbijetesën dhe trashëgimin e tyre tek brezat e rinj.
“Zanatçinjtë janë ruajtës të një të kaluare të pasur, por edhe pjesë e rëndësishme e së ardhmes sonë ekonomike. Është detyrim i përbashkët t’i mbështesim dhe të krijojmë kushte që aftësitë e tyre të vazhdojnë të jetojnë edhe në gjeneratat e ardhshme”, deklaroi Gjorgjievski.
Në thirrje mund të aplikojnë zanatçinjtë me vendbanim në territorin e Qytetit të Shkupit, nga komunat Aerodrom, Gazi Babë, Butel, Çair, Gjorçe Petrov, Karposh, Kisella Vodë, Saraj, Qendër dhe Shuto Orizare, të cilët plotësojnë kushtet e përcaktuara dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm.
E drejtë aplikimi kanë edhe zanatçinjtë të cilët gjatë këtij viti nuk kanë përfituar mjete financiare nga Qyteti i Shkupit, si dhe ata që janë të regjistruar në përputhje me Ligjin për Zejtarinë dhe posedojnë licencë për ushtrimin e veprimtarisë.
Gjorgjievski theksoi se përmes kësaj mase synohet mbështetje konkrete për njerëzit që me punën dhe përkushtimin e tyre ruajnë autenticitetin e Shkupit, duke bërë thirrje që zanatet e vjetra të mos mbeten vetëm pjesë e historisë, por të bëhen sërish të vlerësuara dhe tërheqëse edhe për të rinjtë.
Detajet e plota për kushtet dhe mënyrën e aplikimit janë publikuar në thirrjen zyrtare të Qytetit të Shkupit.






