Orce Gjorgjievski: Pas tri dekadash, Orizarja e Epërme më në fund merr kushte dinjitoze për jetë

Advertisement

Pas tri dekadash me, siç thotë ai, premtime të parealizuara, Orizarja e Epërme po përballet me ndryshime infrastrukturore. Kështu ka deklaruar kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili ka vizituar zonën së bashku me ministrin Erxhan Demir dhe kryetarin e Komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush.

Gjorgjievski tha se gjatë vizitës së parë në këtë zonë, banorët i kishin prezantuar problemet e tyre të grumbulluara ndër vite, mes tyre gjendjen e rrugës, mungesën e hapësirave të rregulluara për fëmijët dhe problemet me infrastrukturën.

Sipas tij, tashmë ka nisur rikonstruksioni i rrugës drejt Orizarjes së Epërme, ku do të vendosen rreth 4 mijë metra katrorë asfalt të ri.

Paralelisht, po vendoset një kënd i ri për fëmijë dhe po bëhet rikonstruksioni i plotë i terrenit sportiv, ndërsa është ndërtuar edhe një stacion i ri autobusi, pas kërkesës së banorëve.

Gjorgjievski tha se banorët nuk kishin kërkuar mrekulli, por kushte normale për jetë dhe mundësi të barabarta me banorët e tjerë të Shkupit.

“Nuk duhet të ketë asnjë lagje që është shumë larg për të arritur deri tek ajo dhe asnjë problem që është shumë i vogël për ta dëgjuar”, tha Gjorgjievski, duke shtuar se në Orizarjen e Epërme ende ka punë për t’u bërë.

Ai e cilësoi realizimin e këtyre projekteve si vetëm fillimin, ndërsa banorëve u premtoi se do të rikthehet sërish për të dëgjuar kërkesat e tyre dhe për të vazhduar me punët në terren.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit