Gucati: Sot të gjithë jemi UÇK

Advertisement

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hyseni Gucati, ka mbajtur fjalim para protestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Sot të gjithë jemi UÇK. Jo në emrim tim! UÇK, UÇK, UÇK! Sot jemi këtu për ta kundërshtuar një padrejtësi të madhe”, tha fillimisht Gucati.

Ai tha se kërkesa e protestuesve është që vendimi i Gjykatës Speciale të shfuqizohet, duke kërkuar që, sipas tij, të merret parasysh vullneti i qytetarëve dhe lufta e UÇK-së.

“Ne sot kërkojmë që këtë vendim, Gjykata Speciale ta shfuqizojmë dhe ta ketë parasysh gjithë këtë mund të popullit, dhe luftën tonë të drejtë”.

Gucati foli edhe për ministren Donika Gërvalla, duke kërkuar sqarime lidhur me dokumentacionin që, sipas tij, është dorëzuar në Hagë.

“Ne e dimë që Donika ka dorëzuar dokumentacione në Hagë. I themi Kurtit që nga sot t’i përjashtojë këta njerëz që bashkëpunojnë me armikun. Janë armiq të vendit tim dhe ne nuk i duam në mesin tonë”, deklaroi ai.

Në fund të fjalimit, Gucati bëri thirrje për nderimin e të rënëve të luftës.

“Lavdi të gjithë dëshmorëve”, tha ndër të tjerash ai.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit