OKTA vazhdon iniciativën kundër zjarreve, dhuron pajisje mbrojtëse për pilotët e avionëve zjarrfikës

Shkup, 22 qershor – Në prag të sezonit veror dhe rritjes së rrezikut nga zjarret në hapësira të hapura, kompania OKTA ka vazhduar për të dytin vit me radhë aktivitetet për mbështetjen e institucioneve përgjegjëse për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik për parandalimin e zjarreve.

Në kuadër të aktiviteteve të saj vjetore, OKTA ka dhuruar pajisje të specializuara mbrojtëse për pilotët që drejtojnë avionët kundër zjarreve Air Tractor të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Donacioni përfshin kostume mbrojtëse, xhaketa, doreza dhe çizme të avancuara, të dizajnuara për të rritur sigurinë dhe qëndrueshmërinë e pilotëve gjatë misioneve me rrezik të lartë për shuarjen e zjarreve.

Paralelisht me donacionin, kompania po realizon për të dytin vit radhazi fushatën parandaluese kundër zjarreve në natyrë me moton “Kujdes çfarë bën! Mjafton pak për një zjarr!”, e cila zhvillohet në partneritet me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe Ndërmarrjen Publike “Pyjet Kombëtare”.

Drejtori ekzekutiv i OKTA-s, Dimitrios Pashos, theksoi se kompania mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë, mbrojtjes së mjedisit dhe mbështetjes së komunitetit.

“Besojmë se parandalimi është mënyra më efektive për të reduktuar rreziqet nga zjarret. Me këtë donacion duam të japim një kontribut konkret në forcimin e kapaciteteve të institucioneve që kujdesen për sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pasurive natyrore. Në të njëjtën kohë, përmes fushatës vazhdojmë të përcjellim mesazhin se secili prej nesh ka përgjegjësi në parandalimin e zjarreve”, deklaroi Pashos.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, vlerësoi mbështetjen e kompanisë, duke theksuar se investimet në sigurinë dhe kushtet e punës së personelit ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit në reagimin ndaj situatave emergjente.

Sipas tij, po aq e rëndësishme është edhe ngritja e vetëdijes publike, pasi mënyra më e mirë për t’u përballur me zjarret pyjore është parandalimi i tyre para se të ndodhin.

Në vitet e fundit, OKTA ka investuar vazhdimisht në forcimin e kapaciteteve shtetërore për parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, duke mbështetur sistemet për zbulimin e hershëm të zjarreve, pajisjen e shërbimeve të vijës së parë të mbrojtjes dhe krijimin e qendrës së parë trajnuese në vend për mbrojtje kundër zjarreve nga derivatet e naftës.

Nga kompania theksojnë se mbrojtja e pyjeve dhe resurseve natyrore është përgjegjësi e përbashkët që kërkon bashkëpunim ndërmjet institucioneve, biznesit dhe qytetarëve, me qëllim krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për brezat e ardhshëm.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit