OEMVP ka dorëzuar një kërkesë zyrtare më 23 maj 2025 drejtuar Qeverisë dhe institucioneve përkatëse, duke kërkuar që sektori i ndërtimtarisë të përjashtohet nga ndalesa për punë të dielave.
Në kërkesën e dërguar, OEMVP thekson se puna në ndërtimtari është thellësisht e varur nga kushtet klimatike, dhe për pasojë, mund të realizohet në mënyrë të plotë vetëm gjatë një periudhe të kufizuar të vitit. Dita e diel, sipas Grupacionit të Ndërtimtarisë, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të rritur efikasitetin dhe për të përmbushur afatet kohore të projekteve ndërtimore.
“Me natyrën specifike të këtij sektori dhe rëndësinë e tij për zhvillimin ekonomik të vendit, konsiderojmë se përjashtimi nga ndalesa për punë të dielave është i arsyeshëm dhe i domosdoshëm”, thuhet në shkresën e OEMVP.
Oda Ekonomike nënvizon se një qasje fleksibile ndaj sektorëve me karakteristika të veçanta është kyçe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe për të ruajtur ritmin e realizimit të projekteve infrastrukturore dhe të ndërtimit.