Nxënësit e Shkollës së Mesme të Policisë “7 Maji” do ta nisin ditën herët, me zgjimin në orën 05:20. Orari i tyre do të përfshijë aktivitet fizik, përgatitje për mësim, ushqim dhe detyra të tjera gjatë ditës.
Drejtori i shkollës, Vllatko Mitkovski, tha se nxënësit duhet të jenë të rreshtuar në kohën e paraparë për aktivitetin fizik, pas së cilës përgatiten për mëngjes dhe kontrollin e përgatitjeve për mësim.
Ai bëri të ditur gjithashtu se nxënësit do të kenë lëndë për përdorimin e armëve, por trajnimi praktik me armë dhe qitja do të zhvillohen vetëm pasi të mbushin 18 vjeç, gjatë vitit të katërt të shkollimit.
Në vitin e parë të Shkollës së Mesme të Policisë janë pranuar 310 nxënës. Fillimisht ishin planifikuar 200 vende, por pas përfundimit të përzgjedhjes u vendos që të pranoheshin të gjithë kandidatët që plotësuan kriteret dhe kaluan me sukses procesin e seleksionimit.
Përgatitja e nxënësve do të zhvillohet sipas kërkesave dhe standardeve të punës policore.






