18.8 C
Skopje
Tuesday, May 28, 2024

Nuk do ta harroj, siluetën tënde

Nga: Dashnor Kokonoz

Një ekstremist çeçen, para ca ditësh – te shkallët e liceut francez ku jepte mësim – e vrau mësuesin Dominique Bernard (në foto), duke bërtitur “Allahu akber!” (Kurrë nuk e kam kuptuar pse e ngatërrojnë zotin në këto punë të ulta.) Dje gjeta këtë shkrim që një kolege e tij ia kishte kushtuar.

***

Dominik,

E shoh siluetën tënde te shkallët e liceut, kur mbërritëm bashkë për të dhënë mësim. I ngjitëm ato pak shkallë të rënduar nga çantat, detyrat e nxënësve, librat dhe idetë tona. Të ngarkuar, por kaq të lehtë! Sepse ti dhe unë do të bënim atë që donim, atë për të cilën ishim prerë të bënim: të jepnim mësim.

Shoh siluetën tënde në dhomën e mësuesve, shoh gjithmonë këmishën tënde, kupën e kafesë që mbanit në dorë, buzëqeshjen çapkëne, se gjithnjë ke diçka me humor për të thënë.

Ishte e vështirë të mos të afrohesha, të mos të të dëgjoja. Nuk mund të rrija pa patur kënaqësinë e një këshille leximi, e një anekdote. E një asgjëje. E një gjithçkaje.

E shoh siluetën tënde në korridore, përballë një klase disi të hallakatur ku prania tënde sjell qetësinë. Është z. Bernard, çuna, ndaj: Bonjour, m’sieur.

 Ti ishe aty për ta; ata e kishin kuptuar këtë dhe ashtu rrëmujshëm ushqeheshin me pasionin tënd ngjitës për letërsinë, me besimin te ju si njeri, me shpresën që atyre u ushqeje.

E shoh siluetën tende te shkallët e liceut tonë. E shoh kur ne arrinim bashkë dhe ti u thoje cigarepirëseve: “Hë çuna, e ndezim që të shtojmë edhe nga një gozhdë në arkivolin tonë”!

 Çfarë ironie tragjike që në të njëjtën shkallë të liceut ku të ishin fërruar aq tabanë këpucësh, ta morën jetën. Ti nuk e kishe kërkuar atë gozhdë. Ajo u ngul te ty rastësisht nga një urrejtje e verbër dhe primitive.

Ironi po ashtu që një gjest i tillë i zymtë, i përzishëm goditi atë që Viktor Hygoi do të mund të quante “pishtarmbajtës”.

Ja, ti je ngritur në shkallën e dëshmorëve, ti njeriu i tërhequr. Dhe, çfarë humbje për botën.

Nuk do ta harroj kurrë siluetën tënde, te shkallët e liceut “Gambetta”.

Aurélie.

Lajme të ngjajshme

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

EVN

Lajmet e fundit