Një studim i ri mbi gjuhën dhe mediat: Laura Papraniku Bejtullau merr titullin Doktor i AlbanologjisëShkencave të Albanologjisë u është shtuar edhe një titullar i ri. Të mërkurën, në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, gazetarja Laura Papraniku Bejtullau mbrojti punimin e disertacionit të doktoratës me titull “Kultura gjuhësore në mediat në gjuhën shqipe në RMV (1990-2024)”, me çka fitoi titullin doktor i Shkencave të Albanologjisë. Papraniku Bejtullau, nga viti 2019 punon si asistente hulumtuese në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – në Shkup. Nga viti 2024 është edhe bashkëpunëtore e jashtme në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup. “Kur vendosa t’i përkushtohem botës akademike dhe hulumtimeve, si një gazetare, ndjeja detyrimin të bëj diçka për të shpalosur kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë mediat tona në drejtim të formimit gjuhësor dhe të ndërgjegjësimit për rëndësinë që ka gjuha në forcimin e identitetit kombëtar”, tha ajo. Në prani të publikut dhe Komisionit pesë anëtarësh: prof.dr. Mirushe Hoxha (kryetare), prof.dr. Ismet Osmani (mentor), prof.dr. Asllan Hamiti (anëtar), prof.dr. Valbona Nesimi Toska (anëtare) dhe prof.dr. Ajten Hajdari Qamili (anëtare), Papraniku Bejtullau prezantoi për 30 minuta disertacionin e saj dhe më pas iu përgjigj pyetjeve të parashtruara nga anëtarët e Komisionit. Mentori Osmani vlerësoi origjinalitetin e punimit, kompetencat gjuhësore, si dhe përvojën shumëvjeçare të saj në gazetari. “Të gjithë mentorët do të kishin dëshirë ta kenë Laurën kandidate për titullin doktor i shkencave”, pohoi ai. Vlerësime të larta për përmbajtjen e disertacionit, metodologjinë dhe metodat e hulumtimit shprehën edhe kryetarja dhe anëtarët tjerë të komisionit. Përveç kompetencave që kanë të bëjnë me gazetarinë, ajo posedon njohuri të thella edhe për çështje gjuhësore, të cilat i gërsheton në disertacionin e doktoratës. Me këtë, ajo ka sjellë një qasje të re në studimet e gjuhës. Papraniku Bejtullau, shpjegoi se punimi i saj nuk është një hulumtim për çështjet e (mos)respektimit të rregullave të drejtshkrimit dhe normave gramatikore, por një hulumtim për rëndësinë që kanë mediat në drejtim të ndërgjegjësimit dhe zhvillimit të kulturës gjuhësore. Në fokus të hulumtimit është hapësira që mediat ia kanë dedikuar çështjeve të gjuhës shqipe. Gjetjet e hulumtimit janë analizuar dhe klasifikuar sipas disiplinave gjuhësore: kulturë gjuhë, dialektologji, onomastikë, gjuhësi e zbatuar dhe didaktikë e gjuhës. “Gazetarët, redaktorët dhe drejtuesit e mediave nuk janë kursyer aspak për t’i shërbyer debateve që kanë të bëjnë me gjuhën. Jo rrallë herë i kanë shndërruar faqet e gazetave dhe emisionet e radiove e televizioneve në klasa për mësimin e gjuhës shqipe”, shpjegoi dr. Laura Papraniku Bejtullau. Disertacioni i doktoratës është i ndarë në shtatë kapituj, të cilat përfshijnë pjesën teorike dhe pjesën emperike. Në dy kapitujt e parë trajtohen çështjet që kanë të bëjnë me linguistikën, albanologjinë dhe historinë e standardizimit të gjuhës shqipe. Kapitujt e tretë dhe të katërt i dedikohen historisë së zhvillimit të mediave, praktikave të përgaditjes së informacionit dhe kontributit të mediave në zhvillimin e kulturës dhe vetëdijes gjuhësore. Në dy kapitujt e radhës shpalosen gjetjet e hulumtimit për periudhën e viteve 1990-2024, analiza sasiore dhe analiza cilësore e të dhënave, (mos)kujdesi institucional ndaj gjuhës, si dhe rezultatet e Anketës të realizuar në periudhën prill-maj 2025. Në kapitullin e fundit analizohen çështjet e kompetencave gjuhësore të gazetarëve bazuar në predispozitat që ofron sistemi jonë arsimor. Për këtë pjesë, është krahasuar numri i orëve të mësimit të lëndës së gjuhës amtare në RMV me numrin e njëjtë të orëve në vendet e BE-së. Është pasqyruar gjithashtu edhe gjendja me (mos)prezencën e lëndës së Gjuhës Shqipe nëpër universitetet tona.