Agjencitë kosovare “bombardojnë” me oferta greke, sivjet si asnjëherë më parë

Nëse hapni sot rrjetet sociale në Kosovë – qoftë Instagram, TikTok apo Facebook – është e pamundur të mos ndesheni me pamjet përrallore të Halkidikisë apo Pargës.

 

Sapo viziton faqet e agjencive turistike të vendit, kupton se riviera greke ka marrë një dominim absolut këtë vit, përcjell INA.

 

Operatorët dhe agjentët turistikë nga Kosova po promovojnë çdo ditë e më shumë turizmin grek me oferta tejet joshëse dhe çmime konkurruese.

 

Ky trend ka marrë përmasa masive këtë sezon, duke e kthyer Greqinë në kryedestinacionin që po reklamohet më së shumti në tregun tonë, nga Halkidiki e deri në Pargë e destinacione të tjera, duke lënë prapa Shqipërinë dhe Turqinë.

 

Ndërsa në Maqedoninë e Veriut agjencitë kanë një tjetër busull, duke pasur në krye të ofertave Turqinë, të pasuar nga Shqipëria, e vetëm më pas Greqinë dhe Bullgarinë.

 

Ky “bum” i ri në Kosovë lidhet direkt me lirinë e lëvizjes pas liberalizimit të vizave dhe dëshirën e kosovarëve për të eksploruar vende që më parë i kishin më të vështira për t’i vizituar, gjë që ka bërë që rrjetet tona sociale të “flasin” pothuajse vetëm greqisht këtë verë.(INA)

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit