Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se nga 2 deri më 7 qershor 2026 po zhvillon kontrolle të shtuara në komunikacion në kuadër të aksionit evropian të ROADPOL, së bashku me 34 shtete të tjera, përcjell TV21. Kontrollet janë të fokusuara te drejtuesit e motoçikletave, mopedëve dhe trotinetëve elektrikë, me qëllim verifikimin e përdorimit të pajisjeve mbrojtëse, gjendjes teknike të mjeteve, të drejtës për drejtim dhe respektimit të rregullave të trafikut. MPB-ja apelon që të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të respektojnë rregullat për të rritur sigurinë dhe për të ulur numrin e aksidenteve rrugore.
“Aktivitetet e aksionit janë të orientuara drejt zbulimit dhe sanksionimit të drejtuesve të mjeteve me dy rrota, përkatësisht mopedëve, motoçikletave dhe trotinetëve elektrikë, të cilët konsiderohen ndër pjesëmarrësit më të rrezikuar në komunikacion, në aspektin e përdorimit të pajisjeve të duhura mbrojtëse, gjendjes teknike të mjeteve, të drejtës për drejtim dhe drejtimit të përgjegjshëm me respektimin e rregullave dhe dispozitave të trafikut, me qëllim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe uljen e numrit të aksidenteve rrugore”, thonë nga MPB.





