Nikoloski në 11 Tetor: Sakrifica e paraardhësve na obligon të mbrojmë shtetin dhe identitetin maqedonas

Advertisement

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, me rastin e 11 Tetorit – Ditës së Kryengritjes Popullore, sot në Prilep vendosi lule të freskëta para përmendoreve të Metodija Andonov-Çentos, Kuzman Josifovski-Pitu dhe te Kodra e të Pamposhturve, duke nderuar luftëtarët që luftuan kundër fashizmit dhe kontribuuan në krijimin e shtetit maqedonas.
Me këtë rast, Nikoloski uroi qytetarët për festën, duke theksuar rëndësinë historike të 11 Tetorit dhe sakrificën e popullit maqedonas në luftën për liri.
„Nga këtu, nga Prilepi, dua ta uroj 11 Tetorin – ditën kur populli maqedonas tregoi se ishte në anën e duhur të historisë, kur u ngrit kundër së keqes më të madhe që në atë kohë po shkatërronte Evropën dhe botën – fashizmit. Me sakrificën dhe shembullin e tij, tregoi se meriton shtet, meriton liri dhe se është në anën e atyre që do të fitonin Luftën e Dytë Botërore“, deklaroi Nikoloski.
Ai theksoi se sakrifica e luftëtarëve është e lidhur thellë me krijimin e shtetit maqedonas dhe se liria që gëzojnë qytetarët sot është rezultat i përkushtimit të tyre.

 

Nikoloski paralajmëroi se kjo sakrificë nuk duhet të kujtohet vetëm në përvjetorë, por vazhdimisht, duke pretenduar se Maqedonia edhe sot përballet me sulme dhe me ringjalljen e ideve që, sipas tij, cenojnë shtetësinë dhe identitetin maqedonas.
„Edhe sot shumëkush nuk ia dëshiron të mirën Maqedonisë. Edhe sot po ringjallen ide të caktuara që nuk nënkuptojnë pavarësinë dhe veçantinë e popullit maqedonas, gjuhës maqedonase, kombit, kulturës dhe shtetit maqedonas“, theksoi ai.
Në fjalimin e tij, Nikoloski nënvizoi rëndësinë e ruajtjes së vazhdimësisë politike, juridike dhe historike të shtetit maqedonas, duke bërë thirrje për qëndresë ndaj sfidave, mohimeve dhe shtrembërimeve të historisë.
Prilepi, qyteti nga ku nisi kryengritja e armatosur më 1941, edhe këtë vit shërbeu si pikë qendrore e përkujtimit të luftës kundër fashizmit dhe sakrificës së brezave që u angazhuan për lirinë

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit