Sipas kontrollit të jashtëzakonshëm të kryer mbi 91 mostra të qumështit, produkteve të qumështit dhe mishrave të përpunuar, si nga prodhimi vendor ashtu edhe nga importi, tek disa operatorë është konstatuar se produktet nuk i përmbushin standardet e përcaktuara, përkatësisht përmbajnë përqindje më të ulët të yndyrës së qumështit nga ajo e deklaruar.
Portali “Kurir” ka publikuar jozyrtarisht emrat e qumështoreve dhe produktet për të cilat dyshohet se kanë vendosur informacione të pasakta në deklarata, pas kontrollit të realizuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AHV).
Edhe pse janë shqiptuar gjoba, emrat zyrtarë të prodhuesve dhe produkteve nuk janë bërë publikë nga institucionet, ndërsa opinioni publik kërkon transparencë.
Sipas informacioneve të publikuara nga “Kurir”:
* Milkom – tek kaçkavalli i përzier, ku sipas deklaratës duhej të kishte 34–35% yndyrë qumështi, analiza tregoi vetëm 30%.
* Mavrovo – tek djathi i përzier, në vend të 24.5% yndyrë qumështi, janë gjetur 17.5%.
* Sentis AG Tetovo UHT – tek qumështi i deklaruar me 3.2% yndyrë, analiza tregoi 2.85%, ndërsa proteinat ishin 3% në vend të 3.5%. Edhe te ajka e thartë, në vend të 18% yndyrë, janë konstatuar 14%.
* Gjorgjievi – tek djathi i dhisë, në vend të 23% yndyrë kishte 16.3%, ndërsa proteinat ishin 14.6% në vend të 18.8%.
* PK Zlatibor – tek djathi i grimcuar i importuar, në vend të 14.3% yndyrë qumështi kishte vetëm 1.19%.
* Bela Farm – tek urda, në vend të 25% yndyrë qumështi janë gjetur vetëm 5.54%.
* Produkt Brand – tek djathi i lopës, në vend të 15% yndyrë kishte 11.4%, ndërsa proteinat ishin 15% edhe pse të deklaruara 12%.
* Tetovska Mlekara – tek djathi i përzier, në vend të 23% yndyrë kishte 19.8%.
* Nord Milk – ka shitur ajkë qumështi me spec, ku analizat kanë treguar prani të yndyrave bimore.
Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për besueshmërinë e deklarimeve ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorëve, ndërsa publiku kërkon që institucionet të publikojnë zyrtarisht të gjitha emrat dhe produktet problematike./Kurir





