TËRNOC – Projekti i shpresës në fshatin Tërnoc të Bujanocit ka marrë tashmë formën e tij finale dhe magjike. Skulptori dhe vullnetari i njohur, Nagip Tashi (Gipo), ka njoftuar përfundimin e amfiteatrit për fëmijë, një projekt i realizuar tërësisht me vetëfinancim dhe pa ndihmën e institucioneve shtetërore.
Siç shihet edhe nga pamjet e fundit,ky “tempull edukativ dhe kreativ” është shndërruar në një oazë të vërtetë ngjyrash. Pasi përfundoi strukturën e drurit dhe betonit, Nagipi ka angazhuar fëmijët e fshatit gjatë pushimeve verore për t’i dhënë shkëlqim amfiteatrit përmes pikturës, vizatimit dhe modelimit.

“Dua t’i falënderoj të gjithë ata që ndihmuan rreth këtij tempulli edukativ, kreativ dhe argëtues për fëmijë,” shprehet skulptori Tashi në një postim në rrjetet sociale, duke treguar se imagjinata e pasur e fëmijëve po i jep jetë katundit që dikur po pllakej nga heshtja dhe migrimi.
Në një zonë ku investimet infrastrukturore nga pushteti qendror dhe lokal pothuajse nuk shihen fare, Nagip Tashi po jep leksionin më të mirë se si individi dhe komuniteti mund të punojnë së bashku për të ndërtuar të ardhmen e gjeneratave të reja. Tërnoci sot ka një arsye më shumë për të buzëqeshur! (INA)





