Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se nesër, më 30 shtator, në orën 10:00 do të zhvillohet një aksion i madh ekologjik për pastrimin e kryeqytetit, me moton “Të lëmë shembull, jo mbeturina!”.
Në aksion pritet të përfshihen disa mijëra vullnetarë, të gjitha komunat e Shkupit, kryetarët e komunave, përfaqësues të ambasadave, nxënës, figura publike, sportistë dhe qytetarë. Pastrimi do të organizohet në lagje të ndryshme dhe në të gjitha komunat që përfshihen në territorin e qytetit.
Gjorgjievski bëri të ditur se aksioni nuk do të mbetet aktivitet i vetëm. Sipas tij, aksione të tilla do të organizohen dy herë në muaj, me synim që me kalimin e kohës të bëhen traditë dhe pjesë e përditshmërisë për një Shkup më të pastër dhe më të shëndetshëm.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen aksionit dhe përmes angazhimit të tyre të kontribuojnë në pastrimin dhe rregullimin e hapësirave publike, parqeve dhe rrugëve.






