Në tetor prezantohet aplikacioni për letërnjoftimin dhe patentë-shoferin në telefon, njofton Andonovski

Advertisement

Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka bërë të ditur se në muajin tetor do të promovohet aplikacioni i ri mobil m.Uslugi, i cili synon t’u mundësojë qytetarëve qasje më të lehtë në dokumentet personale dhe shërbimet elektronike shtetërore.

“Zyrtarisht mund të njoftoj se në tetor do të organizojmë një ngjarje ku do ta promovojmë aplikacionin mobil m.Uslugi. Në të do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe dy shërbime elektronike për qytetarët”, deklaroi Andonovski në Kanal 5.

Sipas Ministrisë së Transformimit Digjital, përmes aplikacionit qytetarët do të mund t’i kenë dokumentet e tyre personale në formë digjitale, ndërsa njëkohësisht do të kenë qasje në shërbime të ndryshme elektronike të administratës.

Qëllimi i këtij projekti është që shërbimet shtetërore të jenë më të qasshme dhe më të thjeshta për qytetarët, duke i mundësuar përdorimin e tyre drejtpërdrejt përmes telefonit mobil.

Andonovski theksoi se gjatë periudhës së fundit është punuar në forcimin e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e të dhënave personale dhe mënyrën e ruajtjes dhe shkëmbimit të tyre me Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila është përgjegjëse për të dhënat.

“Jemi në fazën përfundimtare të harmonizimit dhe nënshkrimit të protokollit për shkëmbimin e të dhënave, si dhe të testimit të aplikacionit. Duam që, para se të jetë në dispozicion për të gjithë, të jemi të sigurt se sistemi është stabil, i sigurt dhe i thjeshtë për përdorim”, tha ministri.

Aplikacioni m.Uslugi do të jetë i disponueshëm në App Store dhe Google Play. Versioni testues deri tani është shkarkuar nga rreth 6.000 qytetarë.

Sipas Andonovskit, synimi i radhës në procesin e transformimit digjital është që telefoni mobil gradualisht të shndërrohet në një portofol digjital, ku qytetarët do t’i kenë dokumentet dhe shërbimet shtetërore në mënyrë të sigurt dhe të lehtë.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit