Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka bërë të ditur se së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe përfaqësues të VLEN-it, kanë ndjekur shfaqjen “Përtej Hekurave” në Teatri Shqiptar në Shkup.
Sipas Mexhitit, shfaqja solli para publikut një mesazh të fortë mbi lirinë dhe mendimin, duke theksuar se ato nuk mund të mbyllen “pas hekurave”. Në skenë u ndërthurën figurat e Ismail Kadare dhe Ukshin Hoti, duke rikthyer vëmendjen te pesha e fjalës dhe qëndresës.
“Figura e Ukshin Hotit nuk është vetëm histori, por një pyetje e hapur që vazhdon të na ndjekë”, ka theksuar Mexhiti, duke shtuar se shfaqja u kthye në një pasqyrë të kujtesës kolektive dhe reflektimit shoqëror.
Ai vlerësoi regjinë e Naser Shatrolli, si dhe interpretimin e aktorëve, duke theksuar se çdo element – nga loja skenike te muzika dhe skenografia – kontribuoi në një përjetim të fuqishëm artistik.
Mexhiti përfundon se “Përtej Hekurave” nuk është vetëm një shfaqje për t’u parë, por një thirrje për t’u kuptuar dhe për të mos u harruar.





